Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka ndarë kujtime nga periudha e tij e paraburgimit në vitin 2024, duke folur për vizitën e dytë të prindërve të tij në qendrën ku mbahej në Hagë.
Thaçi u shpreh se gjatë kohës në paraburgimin e Dhomave të Specializuara në Hagë, prindërit e tij e vizituan dy herë, edhe pse ai kalonte një gjendje aspak të mirë shëndetësore. Ai përshkroi momentin si një “rrëthanë mallëngjyese” ku tri orë bisedë dukeshin si tre minuta.
”Gjatë vitit 2024 edhe pse në gjendje aspak të mirë shëndetësore prindërit me vizituan për herë të dytë në hapësirat e qendrës së paraburgimit. Ishte rrethanë mallëngjyese. Kaluan tri orë sikur të ishin tre minuta. Mbetëm të etur për të vazhduar muhabetet. Edhe pse të lodhur nga mosha për të pritur mysafirë, tregonin falënderim, mirënjohje për solidaritetin e shumë njerëzve me vizitat e tyre në Burojë”, tha ai në një intervistë për emisionin Rubikon.
”Që të relaksoja më shumë ndejën, ju kujtoja kujdesin që tregonin për mua kur isha nxënës dhe udhëtoja me autobus çdo dite nga Buroja në Skenderaj, më jepnin para çdo ditë për burek, çaj dhe blerjen gazetës “Rilindja”; unë më tepër lexoja faqet sportive, rubrikën e kulturës dhe ndonjë fejton historik qe ia vlente. Me prisnin në mbrëmje për darkë. Kujdeseshin në imtësi për higjienën dhe veshmbathjen. Më kursenin nga punët e shtëpisë”.
”la freskova babait kujtesën për një bisedë që kishim zhvilluar në një nga pranverat e fillim viteve nëntëdhjeta, tanimë student gjatë një fundjave në kopshtin e shtëpisë, duke i ndihmuar në mirëmbajtjen e oborrit – kositjen barit në një moment pushimi nën hijen e një qershie kur ishim vetëm për vetëm më tha: “E di dhe po e shoh se je hy në punë të rënda“, vazhdoi “diçka dua të të them, sa për Serbinë mos u mërzit, veç me shokë mos u korit”.






