Ish-presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka folur për pesë vitet që i ka kaluar në qendrën e paraburgimit në Hagë.
Thaçi u shpreh se si i burgosur, njeriu është si peshku pa ujë, e qelinë e cilësoi si “acar i jetës”.
“Burgu kjo jetë e re në botën e re jo të këndshme, e çuditshme dhe e huaj. Në këto rrethana izolimi, errësire dhe vetmie gjërat ngatërrohen me brishtësi e pasion. Ende po arrijë të maksimalizoj shpresën dhe angazhimin dhe minimizoj tendencën e mërzisë dhe kotësisë”.
Tutje, ish-kreu i shtetit u shpreh se kurrë ritmi i jetës së tij nuk ka lëvizur më shpejt sesa periudha që ka kaluar në Hagë, teksa u shpreh se “jeta nuk rikthehet, por shpirtin mund të ma merr veç ai që ma ka dhënë”, tha Thaçi në emisionin Rubikon.
“Mund të tingëlloj naiv apo absurd, por kurrë ritmi i jetës sime nuk ka lëvizur më shpejt sesa periudha që kam kaluar këtu, por për fat të keq janë vite “qetësisht” dhe “butësisht” të humbura”.
“Është kohë e humbur jetësore prej më të mirave dhe më efektive që mund ketë qenia njerëzore vite pa mision të zgjedhur nga ana ime. Jam i vetëdijshëm, jeta nuk rikthehet. Por, shpirtin mund të ma merr veç ai që ma ka dhënë”, tha Thaçi.









