Një tërmet i fortë është regjistruar në Napoli, duke shkaktuar panik te banorët. Lëkundja me magnitudë 4.6 të shkallës Rihter ka bërë që qindra persona të lënë banesat dhe vendet e tyre të punës dhe të dalin në rrugë.
Ky konsiderohet si një nga tërmetet më të fuqishme që ka goditur Napolin në dekada, ndërsa të frikësuar napolitanët e krahasuan lëkundjen me shpërthimin e një bombe.
Banorët në zonë raportuan se dëgjuan një “zhurmë” dhe ndjenë një “dridhje të fortë” ndërsa tërmeti me magnitudë 4.6 goditi rreth orës 9:15 të mëngjesit (ora lokale).
Epiqendra e tërmetit u regjistrua pranë Fushave Phlegraean, një kalderë vullkanike në perëndim të qytetit, në një thellësi prej 2.5 kilometrash. Shumë njerëz që jetojnë pranë qytetit bregdetar të Bagnolit thanë se “tingëllonte sikur të kishte shpërthyer një bombë” kur goditi tërmeti.
Ishte me të njëjtën magnitudë si një tërmet i regjistruar në zonë më 13 mars, më i forti që ka goditur rajonin në 40 vjet.
“Ne u tronditëm shumë, ende po dridhem”, tha një grua që jeton në lagjen Vomero të qytetit për gazetën La Repubblica. Një banor tjetër, i cili jeton në periferinë perëndimore të Fuorigrotta, e përshkroi përvojën si “të tmerrshme”.






