Të paktën 20 persona kanë humbur jetën dhe qindra të tjerë janë lënduar pas një tërmeti që goditi veri të Afganistanit, njoftojnë autoritetet lokale. Shkalla e viktimave pritet të rritet ndërsa vijojnë përpjekjet për shpëtim, raporton BBC.
Tërmeti ndodhi pranë qytetit të Mazar-e-Sharif, një nga qytetet më të mëdha të Afganistanit me rreth 500,000 banorë, në orët e hershme të së hënës, rreth orës 01:00 sipas kohës lokale (20:30 GMT të dielën).
Sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së, tërmeti kishte magnitudë 6.3 dhe thellësi 28 km, duke u cilësuar me nivel paralajmërimi portokalli, që tregon se janë të mundshme viktima të konsiderueshme.
Sharafat Zaman Amar, zëdhënës i ministrisë së Shëndetësisë së qeverisë talebane, tha se mbi 20 persona kanë vdekur dhe mbi 320 janë lënduar. Zyrtarët provincialë theksuan se numri i viktimave mund të rritet ndërsa vijojnë operacionet e shpëtimit.
Në rajonin e Sholgara, në jug të Mazar-e-Sharif, shumë njerëz janë lënduar, kryesisht nga rënia nga ndërtesat e larta, tha Haji Zaid, zëdhënës i talebanëve në provincën Balkh. Ai raportoi gjithashtu dëmtime të vogla materiale në të gjithë provincën.
Banorët e Mazar-e-Sharif dolën në rrugë për shkak të frikës se shtëpitë e tyre mund të shemben. Një video e shpërndarë nga zëdhënësi taleban tregon rrënoja pranë Xhamisë Blu, një vend i shenjtë për myslimanët shiitë, ku besohet të jetë varri i Imam-it të parë shiit.
Edhe në provincën malore të Samangan, pranë Mazar-e-Sharif, u raportuan viktima dhe dëmtime.
Ky tërmet ndodh pak muaj pasi një tërmet tjetër me magnitudë 6.0 goditi rajonin malor të Afganistanit në gusht, duke lënë mbi 1,000 të vdekur. Afganistani është veçanërisht i rrezikuar nga tërmetet për shkak të vendndodhjes së tij mbi linja të shumta tërmeti, ku takohen pllakat tektonike Indiane dhe Euroaziatike.






