Një incident i rëndë me armë zjarri ka ndodhur sot në fshatin Nashec të Prizrenit, ku një person ka mbetur i plagosur, ndërsa i dyshuari është arrestuar nga Policia e Kosovës.
Lidhur me rastin, ka folur edhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Petrit Kryeziu, i cili ka thënë se dyshimet e para rreth motivit të plagosjes është një mosmarrëveshje rreth vendit ku po kulloteshin bagëtitë.
Viktimë e këtij rasti është Agim Gufi, i cili ka mbetur i plagosur nga arma e zjarrit dhe është dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Prizrenit, jashtë rrezikut për jetë.
Ndërkaq, si i dyshuar për këtë vepër penale është arrestuar Anton Kelmendi, banor i të njëjtit fshat.
Kelmendi me urdhër të prokurorit të krimeve të rënda është ndaluar për 48 orë.
“Prokuroria ka kualifikuar veprën si vrasje e ngelur në tentativë, i dyshuari është arrestuar dhe me urdhër të prokurorit të krimeve të rënda është ndaluar për 48h”, tha ai.
Policia ka konfiskuar edhe armën e zjarrit, e cila dyshohet se është përdorur gjatë incidentit.
Hetimet janë në zhvillim, ndërsa rasti po trajtohet nga organet kompetente si “Vrasje e mbetur në tentativë”.






