Eskalimi i fundit i tensioneve në Lindjen e Mesme dhe sulmet e raportuara ndaj bazave strategjike kanë nxitur diskutime mbi sigurinë e instalimeve ushtarake perëndimore kudo në botë. Duke qenë se Kosova mbetet një pikë kyçe e pranisë ushtarake amerikane në Ballkan, shqetësimet për sigurinë e Kampit Bondsteel dhe personelit të NATO-s janë rritur në opinionin publik.
Për këtë, Gazeta ka kërkuar përgjigje nga KFOR-i, për të sqaruar pozicionin aktual dhe gatishmërinë përballë këtyre zhvillimeve globale.
Zyrtarë të këtij misioni kanë bërë të ditur se situata monitorohet në vazhdimësi, megjithëse nuk kanë specifikuar masa të jashtëzakonshme konkretisht për Kampin Bondsteel.
“Forca dhe qëndrimi i KFOR-it rishikohen dhe përshtaten periodikisht, sipas zhvillimit të rrethanave, në mënyrë që misioni të mbetet i përshtatshëm për qëllimin e tij. Aktualisht, nuk ka ndryshime domethënëse që po shqyrtohen,” thuhet në përgjigjen e tyre.
Më tej, KFOR-i ka potencuar se “rruga drejt paqes afatgjatë është politike”, duke kërkuar nga të gjitha palët që të zgjedhin diplomacinë përpara dhunës, ndërkohë që misioni mbetet plotësisht i përkushtuar ndaj mandatit të tij sipas Rezolutës 1244 të OKB-së.
“KFOR-i vazhdon të përmbushë mandatin e tij sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për të ndihmuar në ruajtjen e një mjedisi të qetë dhe të sigurt për të gjithë njerëzit në Kosovë, si dhe lirinë e lëvizjes. KFOR-i operon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë,” deklaron KFOR-i.
Sipas tyre, prezenca e KFOR-it dhe aktivitetet e përditshme në mbarë Kosovën krijojnë hapësirë për dialog politik.
Stabiliteti në rajon, sipas këtij misioni, përfundimisht varet nga zgjedhja e diplomacisë në vend të dhunës nga të gjitha palët. NATO ka konfirmuar se vazhdon të mbështesë fuqishëm Dialogun e lehtësuar nga BE-ja si kornizën për zgjidhjen e çështjeve të mbetura pezull, duke respektuar të drejtat e të gjitha komuniteteve.
Lidhur me rolin e SHBA-së në këtë periudhë tensionesh globale, KFOR-i rikonfirmoi se ky shtet luan një rol themelor me rreth 600 trupa të dislokuar në vend.
“Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të luajnë një rol themelor në mbështetje të sigurisë së qëndrueshme në mbarë Kosovën dhe stabilitetit rajonal, përfshirë edhe brenda kornizës së misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO. Shtetet e Bashkuara kanë pothuajse 600 trupa të dislokuar me KFOR-in,” thuhet në përgjigje, duke specifikuar se SHBA-ja ka udhëheqjen e Komandës Rajonale Lindje, e cila kontribuon përmes patrullimeve dhe ushtrimeve të përditshme.
Pavarësisht rrethanave ndërkombëtare, misioni i udhëhequr nga NATO në Kosovë vlerëson se siguria në vend mbetet e lidhur ngushtë me bashkëpunimin me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, duke shërbyer si garantues i stabilitetit.









