Tensionet mes Izraelit dhe Iranit janë përshkallëzuar ndjeshëm në ditët e fundit, jo vetëm në terren me shkëmbime zjarri, por edhe në frontin virtual, ku ka shpërthyer një “betejë” e ashpër mes presidentit amerikan Donald Trump dhe Udhëheqësit Suprem iranian, Ayatollah Ali Khamenei.
Gjatë 24 orëve të fundit, të dy liderët kanë shkëmbyer deklarata të drejtpërdrejta e kërcënuese përmes rrjeteve sociale, duke ndezur edhe më tej klimën e tensionuar.
Trump, përmes platformës së tij Truth Social, të martën deklaroi: “Kontroll i plotë dhe total mbi hapësirën ajrore të Iranit.”.
Në një paralajmërim të drejtpërdrejtë ndaj Khameneit, ai shtoi: “Ne e dimë saktësisht se ku është fshehur i ashtuquajturi ‘Udhëheqës Suprem’. Ai është një objektiv i lehtë, por është i sigurt atje – Ne nuk do ta eliminojmë (vrasim!), të paktën jo tani.”.
Trump nuk u ndal me kaq. Ai paralajmëroi se: “Durimi ynë po soset,” duke e mbyllur postimin me thirrjen dramatike: “DORËZIM PA KUSHT!”.
Por Irani, përmes vetë Khameneit, ka reaguar pa asnjë shenjë tërheqjeje. Në një sërë postimesh në platformën X, në llogari të ndryshme gjuhësore, lideri suprem iranian deklaroi: “Irani nuk do të bëjë kurrë kompromis me sionistët.”.
Në një tjetër postim, i përkthyer, ai theksoi: “Ne nuk do t’u tregojmë mëshirë sionistëve.”.
Ndërsa në një tjetër postim të drejtpërdrejtë, paralajmëroi: “Beteja fillon.”.








