Studentët e universiteteve nga i gjithë vendi dhe qindra mijëra qytetarë të tjerë, protestuan të premten në rrugët dhe sheshet e Greqisë. Protestat masive u mbajtën në përvjetorin e dytë të aksidentit të rëndë hekurudhor në Tempi në Greqinë Qendrore, që shkaktoi vdekjen e 57 njerëzve.
Ishte katastrofa më e rëndë e këtij lloji në Greqi, dhe një moment që e tronditi kombin. Por ajo që pasoi, e ka ndërlikuar tragjedinë njerëzore dhe ka fermentuar një krizë politike. Aksidenti ndodhi kur një tren pasagjerësh që udhëtonte nga Athina në Selanik, u devijua në të njëjtat shina ku një tren mallrash po udhëtonte në drejtimin e kundërt.
Edhe pse gabimi fatal duket se është kryer nga një punonjës me trajnim minimal, përplasja nuk ndodhi vetëm për shkak të gabimit njerëzor. Ajo ishte rezultat i një dështimi sistematik. Sepse nga hetimet u pa se nuk funksiononte sinjalizimi në shtrirjen e linjës në fjalë, nuk ishte vendosur një sistem monitorimi dhe sigurie në distancë, teksa edhe komunikimi ishte problematik.
Pra është e qartë se nuk është sistemi hekurudhor normal i një vendi anëtar të Bashkimit Evropian në shekullin XXI-të. Dhe është e kuptueshme pse grekët kërkuan përgjigje. Pse sistemi hekurudhor, pjesërisht i privatizuar gjatë krizës së borxheve, ishte në një gjendje kaq të rrënuar?
Pse një skemë e financuar nga BE për të instaluar një sistem automatik mbrojtjeje, i lidhur me Sistemin Evropian të Kontrollit të Trenave (ETCS), nuk ishte përfunduar edhe pse kishin kaluar disa vite pasi ishte parashikuar të vihej në punë? Kush ishte përgjegjësi për këtë kaos?
Dështimet që çuan në aksidentin e tmerrshëm të Tempit, e kanë zanafillën që shumë vite më parë, dhe nuk janë përgjegjësi vetëm e administratës aktuale, apo qoftë edhe e një qeverie
të vetme. Por fakti që aksidenti ndodhi disa muaj përpara zgjedhjeve parlamentare, e nxiti kryeministrin Kyriakos Mitsotakis të vepronte në një mënyrë që do ta mbronte partinë e tij Demokracia e Re” nga marrja përsipër e çdo lloj faji.
Ndaj qeveria e zmadhoi menjëherë rolin e “gabimit njerëzor”, dhe minimizoi çdo mangësi tjetër në sistem. Autoritetet ndërhynë në vendin e përplasjes vetëm disa ditë pas aksidentit, duke pastruar vagonët dhe tokën e zhuritur përpara se të kryhej një hetim i plotë mjeko-ligjor.
Po ashtu Mitsotakis, përjashtoi menjëherë mundësinë që treni i mallrave të kishte transportuar ndonjë ngarkesë të ndezshme, edhe pse përplasja midis dy trenave elektrikë shkaktoi një shpërthim të madh dhe zjarr, për të cilin disa ekspertë besojnë se mund të ketë shkaktuar edhe shumicën e vdekjeve.
Ndërkaq konservatorët në pushtet, bënë çmos që të mbyllej sa më parë një hetim parlamentar mbi aksidentin. Gjatë 2 viteve të fundit nuk është dënuar askush, dhe veprimet e dyshimta të autoriteteve janë sfiduar nga partitë opozitare, por më ashpër nga familjarët e 57 viktimave.
Të udhëhequr nga Maria Karystianou, e cila humbi në aksident vajzën e saj 20-vjeçare, ata janë mbështetur tek puna e ekspertëve të pavarur për të ngritur pikëpyetje rreth asaj që ndodhi. Si për shembull, nëse në bordin e trenit të mallrave kishte një ngarkesë kimikatesh të paregjistruar zyrtarisht.
Sondazhet e opinionit tregojnë se treçereku i grekëve, besojnë se qeveria është e përfshirë në fshehjen e të vërtetës. Ndërsa familjarët e viktimave, kanë tërhequr vëmendjen mbi mangësitë e dukshme në mënyrën se si funksiononte hekurudha greke, dhe se si është kryer hetimi i aksidentit, ata kanë konstatuar se edhe publiku mendon njëlloj si ata.
Po sondazhet tregojnë gjithashtu se shumica e grekëve, nuk i besojnë sistemit të tyre gjyqësor. Zemërimi mbi aksidentin dhe mënyra se si u trajtua, kulmoi në ato që ishin ndoshta protestat më të mëdha në Greqi në më shumë se një dekadë që u mbajtën në të gjithë vendin më 26 janar. Demonstratat e 28 shkurtit ishin akoma më të mëdha. Në dallim nga skandalet e tjera të kohëve të fundit, ai i Tempit është një nga ato, ku në një farë mënyre grekët u ndjenë të prekur drejtpërdrejt. Sepse shumica e familjeve në Greqi, kanë të afërm apo njohin dikë që e përdor linjën hekurudhore Athinë-Selanik, e cila është mënyra më e lirë për të udhëtuar midis dy qyteteve kryesore të vendit.
Pastaj ndikoi edhe fakti që shumë nga viktimat ishin të rinj, kryesisht studentë. Ndërkohë ka qenë jetik roli i familjeve të viktimave në ndërgjegjësimin dhe mbajtjen në fokus të debatit publik të kësaj çështje. Dhe kjo e ka bërë më të vështirë për ata që janë në pushtet, që ta cilësojnë atë si një mosmarrëveshje politike.
Dimensioni jo politik, ishte një faktor kryesor në pjesëmarrjen masive në mitingjet e 26 janarit por edhe të premten. Kjo krizë është gjithashtu unike, edhe sa i përket mënyrës se si Mitsotakis e ka gjetur veten direkt në syrin e ciklonit. Gjatë krizave të mëparshme, qeveria ka qenë në gjendje të krijonte një mur mbrojtës efektiv rreth kryeministrit.
Por këtë herë, ai është i pambrojtshëm nga akuzat. Njollosja e imazhit të Mitsotakis është domethënës, sepse popullariteti vazhdimisht i lartë i kryeministrit, ka qenë një jelek shpëtimi për qeverinë e Demokracisë së Re, që u ringjit në pushtet në vitin 2019.
Vlerësimet dhe reputacioni i tij i fortë e mbrojti dhe kundër atyre në krahun e djathtë të partisë, që e shihnin me dyshim për shkak të prirjeve të tij liberale. Nëse Mitsotakis nis të bëhet një udhëheqës jopopullor, partia e tij humbet policën e saj të sigurimit, dhe ai e humbet kordonin e tij të sigurisë.
Në fakt, duket se çështja “Tempi” ka filluar tashmë t’i shkaktojë dëme të mëdha imazhit të qeverisë, si dhe popullaritetit të kryeministrit. Një sondazh i ProRata i publikuar më 25 shkurt tregon se mbështetja për Demokracinë e Re, ka rënë nga 25.5 në dhjetor në 22.5 për qind tani. Sondazhi zbuloi se drejtësia dhe transparenca, konsiderohen aktualisht si çështja e dytë më e rëndësishme nga votuesit grekë, pas inflacionit. Për momentin, Mistotakis-it i vjen në ndihmë fakti se partia kryesore opozitare nuk ka ftuar terren. Sondazhi i ProRata tregon se që nga dhjetori, mbështetja për PASOK-un ka rënë me një pikë, në 15 për qind.
Përpjekjet e saj për të kërkuar llogari nga qeveria dhe gjyqësori, nuk janë marrë parasysh nga një publik i zemëruar me partitë tradicionale. Në këto kushte, palët që kanë përfituar më shumë nga ky zemërim i zjarrtë janë ato që e konsiderojnë veten si anti-sistem. Në të djathtën ekstreme, partia ultra-nacionaliste Zgjidhja Greke e ka rritur mbështetjen e saj me 3 për qind, duke arritur në 11 për qind.
Ndërsa partia tjetër nacionaliste, Zëri i Arsyes, është rritur nga 4 në 6 qind. Në të majtën ekstreme, Kursi i Lirisë, një forcë populiste, e ka dyfishuar mbështetjen, duke arritur në 9 për qind. Ekziston rreziku që “Tempi”, mund të radikalizojë disa votues në Greqi, veçanërisht grekët e rinj.
Ata kanë parë shumë bashkëmoshatarë të vriten në një udhëtim të zakonshëm me tren, në një rrjet hekurudhor nën standardet e kërkuara, dhe e pasuar nga ajo që ata e perceptojnë si një fshehje e të vërtetës. Këto ngjarje, ka të ngjarë t’u kenë lënë atyre përshtypjen se jetojnë në një vend që nuk kujdeset shumë për të tashmen apo të ardhmen e tyre.
Dështimi për të adresuar këtë perceptim, do të ishte një gabim i rëndë.








