spot_img
spot_img
Sunday, December 21, 2025
spot_img
spot_img

Të bisedojë apo përgatitet për luftë? Dilema e madhe e Iranit përballë SHBA-së së Trump

Të bisedojnë apo të përgatiten për luftë? Kjo është dilema e madhe që po diskutohet më shumë sot midis politikanëve të Republikës Islamike të Iranit, si midis atyre të vijës së ashpër ashtu edhe reformistëve.

Donald Trump, e ka bërë të qartë se shpreson që Irani ta braktisë programin e tij bërthamor, përmes një marrëveshjeje të re me Uashingtonin. Sipas tij, kjo do të zbehë nevojën e një sulmi të madh ajror izraelit për të arritur të njëjtin qëllim.

Megjithatë, me gjithë vëmendjen mbi të emëruarit e Trump në postet kryesore në Pentagon, Departamentin e Shtetit dhe Shtëpinë së Bardhë, ndoshta kur flitet për Iranin, mund të nxjerrim më shumë përfundime të sakta duke analizuar qëndrimet e atyre që këtë herë kanë mbetur jashtë: Mike Pompeo, John Bolton, dhe ish i dërguari i Trump për Iranin gjatë presidencës së parë, Brian Hook.

Të gjithë këta, kanë të gjithë qasje radikale ndaj regjimit iranian, dhe u përpoqën t’i bënin presion Trumpit për të adoptuar një politikë të veçantë kur ishte fjala për Teheranin. Dhe ata kanë paguar një çmim të lartë për ashpërsinë e tyre.

Koalicioni aktual i këshilltarëve të Lindjes së Mesme, nga Pentagoni, Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Shtetit, përfshin një mori zyrtarësh nga “pëllumbat” tek skifterët”, duke sugjeruar se Trump dëshiron t’i mbajë të hapura opsionet e tij, ku negociata është instinkti i tij i parë.

Nga gjithçka që mund të nxjerrim deri më tani nga ajo që kemi dëgjuar, është më e dëshirueshme një marrëveshje. Por ashtu si me të gjitha marrëveshjet, ajo duhet të funksionojë për të gjitha palët. Dhe kur flasim për Iranin, nënkuptojmë edhe Izraelin.

Benjamin Netanyahu do të jetë kryeministri i parë i huaj që viziton Shtëpinë e Bardhë. Flitet se në krye të axhendës do të jetë Republika Islamike e Iranit, programi i saj bërthamor, gjendja e rrënuar e atij që deri dje ishte “Boshti i Rezistencës” së drejtuar nga Teherani, por edhe stabiliteti i brendshëm i regjimit teokratik.

Ajatollahët duken më të dobët se kurrë, si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Netanyahu ka luajtur rolin e sabotatorit të administratave të Shtëpisë së Bardhë prej një brezi, sa herë që bëhet fjalë për negociatat me Republikën Islamike, duke shpërndarë foto bombardimesh dhe duke pozuar me mjeshtëri pranë arkave të dokumenteve të vjedhura bërthamore nga magazinat e Teheranit.

Prandaj ai do të tmerrohet nga sugjerimi i uljes së toneve apo i negociatave me Teheranin, dhe do t’i paraqesë Trumpit panoramën e një regjimi të lëkundur në Teheran, të grindjeve brenda elitës midis Gardës së Revolucionit Islamik të Iranit (IRGC), teksa Ajatollah Khamenei i moshuar është i paaftë të caktojë pasardhësin e tij.

Tani, do të thotë Bibi, është koha për ta rritur presionin ndaj Teheranit, për të parë se ku mund të çojë ai. Ndoshta në ndryshimin e regjimit. Duke pasur parasysh dëshirën e deklaruar të Trump për një marrëveshje (si takimi me Kim Jong-un në Singapor), do të jetë interesante të shihet se si do të zhvillohet kjo dinamikë.

Me përjashtim të rastit kur marrëveshja që Trump synon t’i ofrojë Teheranit, ka për qëllim të futë Khamenein në një qeshe, nga e cila do ta ketë të vështirë të dalë me dinjitet, stabilitet dhe fuqi të paprekur. Ekonomia e Iranit nuk është në krizë. Inflacioni dhe papunësia po rriten vazhdimisht. Vlera e monedhës po bie, dhe Irani renditet ndër të parët në Indeksin e Mjerimit (një llogaritje që ndër të tjera merr parasysh papunësinë, inflacionin dhe korrupsionin). Regjimi po përballet me sfida të rënda, përfshi energjinë elektrike.

Irani, një nga vendet më të pasura me energji në botë, nuk është aktualisht në gjendje të ngrohë shkollat, dyqanet dhe ndërtesat e tij qeveritare. Ndërkaq në Teheran ka zëra që kërkojnë një rrugëdalje nga ky cikël i pafundëm inflacioni, papunësie dhe izolimi global.

Disa nga këto zëra vijnë nga brenda regjimit, të cilët kanë filluar që të shqetësohen për mbijetesën e regjimit. Ekonomia e Republikës Islamike, do të përfitonte seriozisht nga investimet e brendshme, lehtësimi i sanksioneve dhe mundësia për të qenë pjesë e një ekonomie që përdor edhe dollarin.

Megjithatë, kjo do të kundërshtohej nga Kina dhe Rusia. Kina përfiton shumë nga një ekonomi iraniane nën sanksione, pasi ble nga Irani produkte të lira energjetike. Edhe Rusia ka nevojë për ndihmën iraniane në aktin e saj të madh balancues gjeopolitik. Megjithatë, lehtësimi i sanksioneve për mullahët dhe IRGC-në, nuk do të ishte një lëvizje popullore në mesin e rinisë së shqetësuar, të zemëruar me regjimin dhe shumë laike, për të cilët çdo gjë që e zgjat jetën e regjimit do të ishte një mallkim.

Këtë duhet ta kuptojë edhe Amerika, nëse dëshiron vërtet të ketë ndikim ndaj shumicës së popullit në Iran. Në mesin e shumë iranianëve që kundërshtojnë elitat klerikale, ekziston rreziku real që pranimi i bisedimeve nga Khamenei me SHBA-në, të interpretohet si një shenjë e dobësisë së regjimit, e cila nga ana tjetër, mund të nxisë më shumë protesta kundër regjimit.

Duke i lejuar Ajatollahët të fitojnë para, Uashingtoni do të favorizonte njerëzit që e kanë parë si armike SHBA-në për dekada ne radhë; IRGC dhe klika e Khameneit.

Por nga ana tjetër, lehtësimi i sanksioneve për IRGC-në dhe Khamenein, mund të rezultojë të jetë një karamele e helmuar për Republikën Islamike, një shtet i zhytur në korrupsion nga lart-poshtë.

Për çdo miliard të investuar, ndoshta 1 ose 2 të tillë dërgohen fshehurazi në Gjenevë ose Dubai (ose në Londër). Ky cikël korrupsioni, do të vazhdojë ta kalbëzojë regjimin nga brenda, duke e përshpejtuar potencialisht edhe rënien e tij.

Pra, mund të ndodhë që vetë politika që synon të shpëtojë revolucionin, të jetë në fakt ajo që e përshpejton shkatërrimin e tij, duke pasuruar vetëm një pjesë të vogël njerëzish që janë në krye të vendit. Irani është një shtet i ndërtuar mbi rezistencën ndaj dominimit kulturor dhe politik amerikan.

Ai ishte fryt i një revolucioni, zërat kryesorë të të cilit ishin unanimë në dënimin e imperializmit amerikan, efekteve korruptive të dollarit, dhe gjithçka që tregonte ai: robëri, vasalitet e kështu me radhë. Vitet formuese të luftë që zhvilloi Republika Islamike me Irakun, e vendosë përballë një armiku të armatosur deri në dhëmbë me armë amerikane dhe të drejtuar nga inteligjenca e SHBA-së.

Vitet e ndërmjetme, vështirë se kanë qenë më të lehta. Trump, i cili u tërhoq nga marrëveshja bërthamore e Planit të Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit (JCPOA)  dhe vrau njeriun më të favorizuar të regjimit, Qassem Soleimani, mishëron arketipin e liderit amerikan të guximshëm dhe të pafe, aq shumë të urryer nga Teherani.

Të qenit në një pozicion, ku fati i Republikës Islamike mund të mbështetet tek tekat e Trump, do të jetë një mendim kthjellues për mbështetësit më të flaktë revolucionarë të Teheranit të kthyer tashmë në kleptokratë teokratikë. Pra të bisedohet apo jo me Trump? Teherani përballet me zgjedhje të vështira në të dyja drejtimet. Çfarëdo që të vendosë, viti 2025 do të jetë vendimtar për Republikën Islamike të Iranit dhe kundërshtarët e saj. Por edhe për aleatët e saj.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit