Shkruan: Astrit Gashi
Fushata po mbyllet me një paradoks që pak kush do ta kishte imagjinuar para disa vitesh. Dy figurat që dikur u larguan nga partitë e tyre politike, Fatmir Limaj dhe Vjosa Osmani, sot duken politikisht më të mëdhenj sesa vetë kryetarët formalë të partive që dikur i braktisën jo për parime por për pozitë. E kur I humben këto tashmë janë duke kërkuar kulm mbi krye.
Por le të jemi të sinqertë. As Limaj dhe as Osmani nuk u rikthyen nga nostalgjia politike. Nuk u kthyen sepse i mori malli për shtëpitë e vjetra politike.
Ata u kthyen sepse politika është mbi të gjitha art i mbijetesës dhe sepse hapësira e tyre politike u ngushtua deri në atë pikë sa rikthimi u bë alternativa e vetme.
Fatmir Limaj vazhdon të ketë më shumë peshë politike sesa shumë figura që sot mbajnë poste të larta në PDK. Megjithatë, të refuzohesh publikisht dhe më pas të rikthehesh në prehrin e atyre që të refuzuan, nuk është dëshmi force, por dëshmi që mungon morali politikë.
E njëjta logjikë vlen edhe për Vjosa Osmanin. Edhe pse jashtë LDK-së, ajo vazhdon të jetë një referencë politike më e fortë se shumë prej figurave që sot pretendojnë ta udhëheqin partinë.
Asnjëri prej tyre nga elektorati nuk po ndërtohet si kundërshtar i drejtpërdrejtë i Albin Kurtit. Asnjëri nuk po prodhon një projekt politik që mund ta sfidojë seriozisht pushtetin aktual.
Sepse Albin Kurti nuk po fiton vetëm nga forca e Vetëvendosjes. Ai po fiton nga mungesa e kundërshtarit. Po fiton nga fakti se opozita vazhdon të kërkojë shpëtim tek figurat e së kaluarës në vend që të prodhojë një alternativë për të ardhmen. Po fiton sepse ne prag zgjedhjesh përdorë bugjetin e shtetit me mbi 200 milion për mbështetje te kategorive sociale.
Në politikë, rekordet nuk thyhen vetëm nga forca e fituesit. Shpesh ato thyhen nga dobësia e kundërshtarëve. Dhe nëse ky realitet vazhdon, Fatmir Limaj dhe Vjosa Osmani nuk do të mbahen mend si figurat që i sollën vota vendimtare PDK-së apo LDK-së. Përkundrazi, historia mund t’i kujtojë si pjesë e një opozite që nuk arriti të bëhej alternativë dhe që, pa dashje, i hapi rrugë Albin Kurtit të prekë shifra që dikur dukeshin të paimagjinueshme.
Sepse kur opozita nuk prodhon kundërshtar, pushteti prodhon rekord. Dhe rekordi që sot duket i largët 450 mijë vota për Albin Kurtin mund të mos jetë më fantazi politike, por pasojë logjike e një opozite që ende nuk e ka kuptuar së èshte e vdekur.










