Bashkimi Evropian (BE) dhe Shtetet e Bashkuara po përballen me tensione të vazhdueshme për tarifat tregtare, ndërsa afati i 9 korrikut 2025 për vendosjen e tarifave të reja amerikane afrohet. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka kërcënuar me tarifa deri në 50% për importet nga BE, duke akuzuar bllokun se ka një suficit tregtar të padrejtë ndaj SHBA-së. Sipas të dhënave, në vitin 2023, BE kishte një suficit tregtar në mallra prej 48 miliardë eurosh, pavarësisht se SHBA ka një suficit në shërbime.
Në përgjigje, BE ka propozuar një marrëveshje “zero-për-zero” për mallrat industriale, si automjetet, ilaçet dhe makineritë, si dhe ka shprehur gatishmërinë për të blerë më shumë gaz natyror dhe mikroçipe amerikanë. Megjithatë, negociatat kanë ngecur për shkak të kërkesave të SHBA-së që BE të ndryshojë sistemin e saj të taksave mbi vlerën e shtuar dhe rregulloret për kompanitë teknologjike amerikane, çka BE i ka refuzuar.
Në këto kushte, Gjermania ka kërcënuar se do t’i përgjgijet me të njëjtën monedhë SHBA-së nëse nuk arrihet një marrëveshje.
Ministri gjerman i financave, Lars Klingbeil, ka paralajmëruar se BE-ja është e gatshme të vendosë masa hakmarrëse kundër mallrave amerikane nëse të dyja palët nuk arrijnë një marrëveshje “të drejtë” për të zgjidhur mosmarrëveshjen e tyre tregtare.
“Ne duam një marrëveshje me amerikanët, por gjithashtu e them shumë qartë se kjo marrëveshje duhet të jetë e drejtë. Dhe nëse nuk arrijmë të arrijmë një marrëveshje të drejtë me Shtetet e Bashkuara, atëherë Bashkimi Evropian do të duhet të marrë kundërmasa për të mbrojtur ekonominë tonë. Ky mosmarrëveshje tregtare po na dëmton të gjithëve, duhet të përfundojë shpejt. Evropianët ende po ofrojnë një dorë të hapur… Por një marrëveshje duhet të jetë e drejtë. Ne nuk do të pajtohemi me gjithçka”, u tha Klingbeil deputetëve gjermanë këtë të martë, raporton “FT”.
Kujtojmë se presidenti amerikan të hënën u dërgoi letra 14 partnerëve tregtarë, përfshirë Japoninë dhe Korenë e Jugut, duke përcaktuar tarifat që do të hyjnë në fuqi më 1 gusht. Shtëpia e Bardhë ka thënë se do të dërgohen më shumë letra këtë javë.
Duke folur vonë të hënën, Trump la gjithashtu derën hapur për negociata, duke thënë se letrat ishin “pak a shumë” oferta përfundimtare dhe “jo 100 për qind të sigurta”.
Masa e kësaj jave vjen pas një pauze 90-ditore të të ashtuquajturave tarifa reciproke të njoftuara nga Trump në ‘ditën e çlirimit’, e cila duhej të përfundonte më 9 korrik.
Komisioneri i Tregtisë i BE-së, Maroš Šefčovič, ka zhvilluar bisedime të vazhdueshme me homologët amerikanë, por zyrtarët evropianë shprehin zhgënjim për mungesën e qartësisë nga SHBA. Ekspertët, si Ignacio García Bercero nga think tank-u Bruegel, vlerësojnë se një marrëveshje e plotë brenda afatit është e vështirë, dhe BE mund të përballet me tarifa të vazhdueshme prej të paktën 10%.
Ndërsa negociatat vazhdojnë, pasiguritë tregtare po ndikojnë në tregjet globale, me Stoxx Europe 600 që ra me 1.7% pas kërcënimit të tarifave 50%. BE këmbëngul për një zgjidhje të negociuar, por është gati të zbatojë kundërmasa nëse nuk arrihet një marrëveshje e drejtë.






