Ish-kryetari i Vushtrrisë nga radhët e LDK-së, Xhafer Tahiri, ka reaguar ashpër ndaj ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, e cila është vendosur në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë që u lajmërua të qëndrojë e hapur nga 24 marsi deri më 7 prill 2026.
Përmes një postimi publik, Tahiri ka akuzuar drejtpërdrejt autorin e librit mbi të cilin bazohet ekspozita, Shkëlzen Gashi, duke thënë se përmbajtja e prezantuar në këtë aktivitet përhap narrativë të dëmshme për ngjarjet e luftës, konkretisht për masakrën në Burgun e Dubravës.
“Në 2021 shumë njerëz ndoshta i besuan këtij neo jugosllavi me deklaratën e tij shpifëse për mua, POR sot Shkëlzen Gashi me ekspozitën e tij në shesh të Prishtinës po përkrah propagandën e Serbisë për masakrën në Burgun e Dubravës”, ka shkruar Tahiri, duke e përmbyllur reagimin me fjalën “turp”.
Ky reagim vjen në një kohë kur ekspozita ka nxitur debat të gjerë publik, sidomos nga të mbijetuarit e masakrës së Dubravës. Ata kanë ngritur shqetësime serioze për, siç thonë, pasaktësi të mëdha dhe interpretim të rrezikshëm të fakteve historike.
Ndër zërat më kritikë është edhe i mbijetuari Sadik Zeqiri, i cili e ka cilësuar ekspozitën si “të turpshme” dhe ka kundërshtuar ashpër pretendimet për ekzistencën e “të burgosurve të armatosur”.
“Po shtrembërohet e vërteta në sheshin e Prishtinës. Në Dubravë nuk ka pasur të burgosur të armatosur. Të gjithë kanë qenë duarthatë dhe të pambrojtur. 116 të burgosur shqiptarë janë vrarë, ndërsa mbi 400 janë plagosur”, ka deklaruar ai.
Reagime të ngjashme ka pasur edhe nga i mbijetuari tjetër, Enver Dugolli, i cili ka theksuar se përmbajtja e ekspozitës jo vetëm që nuk përputhet me të vërtetën, por rrezikon të përdoret për të përforcuar narrativën serbe.
Sipas tij, ndarja e viktimave në “të armatosur” dhe “civilë” është plotësisht e pavërtetë dhe e dëmshme për kujtesën historike të ngjarjes.
Ekspozita në fjalë, e cila tashmë është bërë qendër e polemikave, u pezullua pak më parë nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.









