“Kjo është një ditë shumë e bukur, e paharrueshme.” Me këto fjalë reagoi trajneri i Shqipërisë, Sylvinho, menjëherë pas fitores historike 0-1 ndaj Serbisë në stadiumin e Leskovacit. Me tone të qarta krenarie dhe emocioni, tekniku brazilian vlerësoi punën, përkushtimin dhe karakterin e lojtarëve shqiptarë në një sfidë të vështirë dhe të tensionuar.
“E kemi mundur një kundërshtar të fortë, jemi ende në lojë. Asgjë nuk është vendosur, por kjo është një hap i rëndësishëm,” tha Sylvinho për SuperSport, duke nënvizuar rëndësinë strategjike të tri pikëve. Ai nuk harroi të përmendë protagonistët: “Manaj? Është jeta jonë. Kemi shumë besim tek ai. Broja përballoi Pavloviçin, një ndër më të fortët; Uzuni ishte i jashtëzakonshëm.”
Trajneri vlerësoi kontributin kolektiv dhe shpirtin e sakrificës: “Futbolli nuk është i lehtë. Nuk fiton vetëm kush shënon. Broja, Uzuni, Bajrami dhanë gjithçka për ekipin. Jam krenar për të gjithë.” Për mesfushorin Bajrami, që humbi një rast të artë në fund, ai u shpreh: “I zhgënjyer? Është normale. Do të vijë goli në ndeshjen tjetër.”
I pyetur për të ardhmen e tij, Sylvinho u tregua i prerë: “Për të ardhmen mendoj unë. Nuk më shqetëson kjo pyetje. Kam eksperiencë, e di si funksionon kjo punë. Kemi edhe dy ndeshje të rëndësishme përpara.”
Në fund, një mesazh për shqiptarët kudo që ndodhen: “Jam krenar. Kjo është një fitore e lojtarëve dhe e gjithë kombit. Ia kushtojmë vendit tonë. Dhe një dedikim special për Salihin, në SHBA; ke qenë pjesë e këtij rrugëtimi, është për ty dhe familjen tënde.”






