Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas vdekjes së Agon Zejnullahut para mëngjesit të djeshëm në Lipjan.
Ai ka kërkuar hetim urgjent dhe profesional nga Inspektorati Policor i Kosovës dhe bashkëpunim të plotë nga Policia e Kosovës.
“Si Ministër i Punëve të Brendshme, sapo jam informuar për ngjarjen, kam kërkuar angazhim urgjent dhe profesional nga Inspektorati Policor i Kosovës si dhe bashkëpunim të plotë të Policisë së Kosovës gjatë këtij hetimi. Në kuadër të kësaj, hetimet tashmë janë duke u zhvilluar me intensitet maksimal”, ka shkruar Sveçla.
Sveçla theksoi se hetimet tashmë janë duke u zhvilluar me intensitet të lartë dhe në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë dhe Institutin e Mjekësisë Ligjore. Ai u shpreh se askush nuk është mbi ligjin dhe se çdo person përgjegjës do të përballet me drejtësinë.
Ministri gjithashtu u shprehu ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të të ndjerit, duke theksuar se besimi i qytetarëve në Policinë e Kosovës duhet të ruhet përmes transparencës, drejtësisë dhe përgjegjësisë në çdo rast.






