Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka komentuar sot raportimet për zëvendësime të ndryshme të kapitenëve të Policisë së Kosovës në disa komuna, si në Lipjan, Suharekë dhe Klinë.
“Policia e Kosovës është udhërrëfyes më kredibil në Republikën e Kosovës dhe kjo është falë punës së palodhshme të gjithë pjesëve të të gjithëve, janë edhe ata që janë të lirë. Ajo është e suksesshme po ashtu edhe për shkak të vetpërmirësimit të tyre që bën. Kështu që çdo veprim i Kosovës që shkon në ngritjen e kualitetit, ngritjen e gatishmërisë, por edhe shtimin e suksesit të Kosovës, ne e përkrahim”, deklaroi Sveçla.
I pyetur nëse mund të ketë edhe veprime nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme, ai theksoi se është e nevojshme për të vepruar brenda kompetencave ligjore.
“Patjetër. Ne e vlerësojmë të nevojshme të veprojmë, gjithmonë brenda kompetencave tona ligjore, në luftën kundër”, u shpreh ai.
Më 7 korrik, në minutat e para pas mesnatës në qytetin e Lipjanit, ndodhi një ngjarje tragjike që tronditi opinionin publik: një i ri 27-vjeçar, Agon Zejnullahu, humbi jetën gjatë ndërhyrjes policore.
Pas vdekjes së 27-vjeçarit në duart e pesë zyrtarëve policor në orët pasmesnate të datës 7 korrik, komandanti i Stacionit Policor në Lipjan, Argjend Gashi ka ofruar dorëheqjen e tij morale.
Kështu ka deklaruar Gashi derisa shtoi se ai nuk është shkarkuar nga pozita, por ka bërë kërkesën për dorëheqje dhe është në pritje të një vendimi.
Pamje të publikuara po atë ditë në rrjetet sociale shfaqnin momentin kur disa zyrtarë policorë po e arrestonin Zejnullahun. Videot ngjallën reagime të forta për mënyrën e ndërhyrjes dhe ngritën shqetësime për tejkalim të kompetencave dhe mungesë profesionalizmi në trajtimin e situatës.
Më 9 korrik 2025, pesë zyrtarët policorë të përfshirë – Ibrahim Nela, Albian Ratkoceri, Artidon Konxheli, Liridon Rrahmani dhe Endrit Beqiri – u paraqitën para Gjykatës Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan, nën dyshimin për veprën penale “vrasje nga pakujdesia”.
Gjykata u caktoi atyre masën e paraburgimit prej 30 ditësh.






