Publicisti thotë se gabimet e Gashit duhen trajtuar në debat publik e akademik, jo përmes ndërhyrjes penale të institucioneve.
Publicisti Veton Surroi ka reaguar lidhur me rastin e studiuesit Shkëlzen Gashi, duke thënë se ndërhyrja e institucioneve të drejtësisë në këtë çështje rrezikon të tejkalojë pragun e lejueshëm të ndërhyrjes shtetërore në lirinë e shprehjes.
Në një reagim publik, Surroi thekson se Gashi ka bërë “gabime evidente” në librin e tij dhe në ekspozitën e mbajtur në sheshin e Prishtina, e cila tashmë është mbyllur. Sipas tij, qytetarët e mbijetuar nga masakrat, familjarët e viktimave, si dhe Fondi për të Drejtën Humanitare dhe aktorë të tjerë kanë shprehur me të drejtë indinjatë për atë që ai e quan joprofesionalizëm.
Megjithatë, Surroi kundërshton përfshirjen e institucioneve të drejtësisë në këtë rast. Ai thekson se prokurori i shtetit ka autorizuar veprime hetimore ndaj Gashit duke angazhuar Drejtoria Kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, me arsyetimin se ai dyshohet për veprën penale të “nxitjes së përçarjes dhe mosdurimit”.
Sipas Surroit, me këtë veprim prokuroria dhe policia po ndërhyjnë në një fushë që në një shoqëri demokratike duhet t’i takojë debatit publik, akademik dhe shoqëror. Ai thekson se liria e shprehjes është e garantuar me Kushtetutën e Kosovës dhe standardet evropiane, ndërsa kufizimi i saj kërkon një prag të lartë ligjor dhe proporcionalitet të masave.
Surroi shton se gabimet e Gashit tashmë janë kundërshtuar në mënyrë profesionale nga studiues dhe institucione, duke përmendur edhe reagimet e mëhershme të historianëve dhe organizatave përkatëse.
Ai paralajmëron se nëse institucionet e zbatimit të ligjit bazojnë ndërhyrjen në pretendimin se është “dëmtuar e vërteta e luftës çlirimtare”, atëherë ato rrezikojnë të kalojnë nga roli i garantuesve të ligjshmërisë në rolin e arbitrit të së vërtetës historike.
Sipas Surroit, një qasje e tillë përbën precedent shqetësues dhe mund të krijojë efekt frikësues për debatin publik në Kosovë.









