Futbollisti me prejardhje nga Kosova, Arijon Ibrahimoviq, do të jetë pjesë e ekipit të parë të Bayern Munichut në sezonin e ri, pasi klubi gjerman ka vendosur ta përfshijë në planet e skuadrës kryesore.
Bayerni ka konfirmuar të martën se mesfushori 20-vjeçar do t’i nisë përgatitjet me ekipin e parë pas përfundimit të huazimit te Heidenheimi, ku sezonin e kaluar fitoi përvojë në elitën e futbollit gjerman.
Ibrahimoviq tashmë rikthehet në Munih me synimin për të bindur stafin teknik dhe për të siguruar sa më shumë minuta në fanellën e kampionit të Gjermanisë.
Mesfushori ofensiv vlerësohet si një prej talenteve premtuese të klubit bavarez, ndërsa në edicionin e ri do të tentojë të fitojë një vend në formacionin e parë të Bayernit.








