Femrat mund të jenë po aq të prekura nga autizmi sa meshkujt, por djemtë kanë deri në katër herë më shumë gjasa të diagnostikohen gjatë fëmijërisë, sipas një studimi të gjerë shkencor.
Hulumtimi, i udhëhequr nga Instituti Karolinska në Suedi, analizoi normat e diagnostikimit të autizmit tek personat e lindur në Suedi midis viteve 1985 dhe 2020. Nga 2.7 milionë persona të ndjekur, 2.8% u diagnostikuan me autizëm midis moshës dy dhe 37 vjeç.
Studiuesit zbuluan se deri në moshën 20-vjeçare, normat e diagnostikimit për meshkujt dhe femrat ishin pothuajse të barabarta, duke sfiduar supozimet e mëparshme se autizmi është shumë më i përhapur tek meshkujt, shkroi Guardian.
“Gjetjet tona sugjerojnë se diferenca gjinore në përhapjen e autizmit është shumë më e vogël sesa është menduar më parë, për shkak se gratë dhe vajzat shpesh nuk diagnostikohen ose diagnostikohen vonë,” tha autorja kryesore e studimit, Dr Caroline Fyfe.
Studimi tregoi se gjatë fëmijërisë, djemtë diagnostikoheshin mesatarisht pothuajse tre vite më herët se vajzat – mosha mesatare e diagnostikimit ishte 15.9 vjeç për vajzat dhe 13.1 vjeç për djemtë. Në përgjithësi, djemtë kishin tre deri në katër herë më shumë gjasa të diagnostikoheshin me autizëm para moshës 10-vjeçare, megjithëse vajzat “e arrinin” këtë diferencë deri në moshën 20-vjeçare, për shkak të një rritjeje të shpejtë të diagnostikimeve gjatë adoleshencës.
“Këto vëzhgime theksojnë nevojën për të hetuar pse individët femra marrin diagnozë më vonë se meshkujt,” përfunduan autorët.
Studimi zbuloi gjithashtu se, ndërsa pabarazitë gjinore në normat e diagnostikimit mbetën relativisht të qëndrueshme gjatë tre dekadave të fundit për fëmijët nën moshën 10 vjeç, ato u ulën ndjeshëm për të gjitha grupmoshat e tjera.
Aktivistja për të drejtat e pacientëve, Anne Cary, ka theksuar se kërkimi mbështet argumentin se “janë paragjykimet sistemike në diagnostikim, dhe jo një diferencë reale”, ato që qëndrojnë pas mospërputhjeve në normat e diagnostikimit.
“Ndërsa vajzat dhe gratë autiste presin një diagnozë të saktë, ato shpesh (keq)diagnostikohen me çrregullime psikiatrike, veçanërisht çrregullime të humorit dhe të personalitetit, dhe detyrohen të vetëmbrohen për t’u parë dhe trajtuar siç duhet: si paciente autiste, po aq autiste sa meshkujt”.








