Një sondazh i kryer nga Rating Group në datat 21-23 gusht tregon se presidenti Volodymyr Zelensky nuk është figura më e besuar politike në Ukrainë. Vendin e parë e ka zënë ambasadori i Kievit në Mbretërinë e Bashkuar, gjenerali me katër yje Valery Zaluzhny.
Sipas rezultateve të studimit, 74% e ukrainasve shprehen se i besojnë Zaluzhny-t, ndërsa Zelensky gëzon një nivel besimi prej 68%. Ky rezultat tregon se popullariteti i presidentit ka pësuar rënie, ndërkohë që gjenerali vazhdon të shihet si simbol i qëndresës ushtarake dhe integritetit kombëtar.
Sondazhi nxori në pah edhe disa prirje të rëndësishme:
-59% e të pyeturve mbështesin ndërprerjen e luftimeve dhe kërkimin e një kompromisi.
-Vetëm 13% kërkojnë që lufta të vazhdojë deri në rikthimin e kufijve para pushtimit rus.
-82% e konsiderojnë negociatat si mënyrën më realiste për t’i dhënë fund luftës.
-75% mendojnë se një armëpushim duhet të pranohet vetëm nëse garantohen siguri ndërkombëtare.
-58% e shohin si prioritet sigurimin e fondeve të qëndrueshme për ushtrinë dhe furnizimin me armë.
Rezultatet tregojnë qartë se shoqëria ukrainase dëshiron paqe, por jo në çdo kusht. Mesazhi është i thjeshtë: çdo kompromis me Rusinë duhet të vijë vetëm me garanci të forta nga partnerët ndërkombëtarë, përndryshe sakrificat e deritanishme do të shkonin dëm.
Ky sondazh, përveçse ekspozon rënien e lehtë të besimit ndaj Zelensky-t, është një sinjal i fortë politik për aleatët perëndimorë: pa mbështetje të qëndrueshme ekonomike dhe ushtarake, Ukraina nuk mund të negociojë nga pozita të barabarta.










