Hulumtimi i fundit ka ngritur shqetësime serioze për sigurinë e gotave njëpërdorimshe të kartonit, të cilat përdoren gjerësisht për konsumimin e çajit dhe kafesë në jetën urbane.
Sipas një studimi të kryer nga Instituti Indian i Teknologjisë (IIT) në Kharagpur, konsumimi i pijeve të nxehta në këto gota mund të shoqërohet me rreziqe të padukshme për shëndetin, për shkak të çlirimit të mikroplastikave gjatë kontaktit me temperaturat e larta.
Studimi, i udhëhequr nga Prof. Sudha Goel, ka zbuluar se gotat e kartonit nuk janë të përbëra vetëm nga letra, por zakonisht janë të veshura me një shtresë të hollë plastike, kryesisht polietilen ose kopolimere të ngjashme, të cilat shërbejnë për të parandaluar depërtimin e lëngut.
Kur në këto gota derdhen pije me temperaturë 85–90 gradë Celsius, kjo shtresë plastike fillon të degradohet.
Rezultatet e hulumtimit tregojnë se brenda vetëm 15 minutash, në 100 mililitra pije të nxehtë mund të çlirohen rreth 25 mijë grimca mikroplastike, të padukshme për syrin e njeriut. Nëse një person konsumon tri gota çaji apo kafeje në ditë në gota kartoni, ekspozimi ditor mund të arrijë deri në 75 mijë grimca mikroplastike.
Hulumtimi u realizua përmes dy qasjeve eksperimentale. Në fazën e parë, studiuesit derdhën ujë ultra të pastër me temperaturë 85–90 gradë Celsius në gota kartoni tregtare dhe e lanë të qëndronte për 15 minuta. Më pas, lëngu u analizua për praninë e mikroplastikave dhe joneve që mund të kishin kaluar nga materiali i gotës.
Në fazën e dytë, gotat u ekspozuan fillimisht ndaj ujit të vakët, me temperaturë 30–40 gradë Celsius, për të ndarë me kujdes shtresën plastike nga kartoni. Kjo shtresë u analizua para dhe pas ekspozimit ndaj ujit të nxehtë, duke treguar ndryshime të dukshme në vetitë e saj fizike, kimike dhe mekanike.
Sipas ekspertëve, mikroplastikat nuk janë materiale inerte dhe mund të veprojnë si bartës të ndotësve toksikë, përfshirë metale të rënda si kadmiumi, kromi dhe paladiumi, përbërje organike hidrofobike, si dhe substanca që mund të ndërhyjnë në sistemin hormonal.
Studime të publikuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (WHO), Agjencia Evropiane e Kimikateve (ECHA) dhe revista shkencore si Environmental Science & Technology dhe Nature Food sugjerojnë se ekspozimi i vazhdueshëm ndaj mikroplastikave mund të lidhet me stres oksidativ, inflamacion kronik, çrregullime hormonale dhe rritje të rrezikut për sëmundje malinje, megjithëse kërkohen ende studime afatgjata te njerëzit.
Për të reduktuar ekspozimin ndaj mikroplastikave, ekspertët rekomandojnë shmangien e konsumimit të pijeve të nxehta në gota kartoni njëpërdorimshe, përdorimin e gotave prej qelqi, porcelani ose çeliku inox, si dhe kufizimin e produkteve plastike në kontakt me ushqime dhe pije të nxehta.
Ky ndryshim i vogël në përditshmëri, sipas tyre, jo vetëm që ndihmon në mbrojtjen e shëndetit, por kontribuon edhe në uljen e ndotjes mjedisore duke reduktuar mbetjet plastike njëpërdorimshe.






