Studentët në Serbi kanë organizuar sot aksionin “Bllokadë totale e Serbisë”, duke i bërë thirrje qytetarëve që t’u bashkohen protestave, me mesazhin e qartë: “Nuk do të na shkelni”. Ky mobilizim vjen si reagim ndaj ndërhyrjeve të dhunshme të policisë në protestat e mëparshme.
Bllokadat kanë nisur në Novi Sad që në orën 06:00 të mëngjesit, më pas në Çaçak në orën 6:30, ndërsa në Beograd, Nish, Kragujevc dhe Novi Pazar në orën 07:00. Janë paralajmëruar bllokime edhe në qytete të tjera të Serbisë.
Përballë presionit të protestuesve, presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka reaguar, duke u bërë thirrje studentëve që të heqin dorë nga bllokimi i qyteteve.
“Të mos shkatërrohet Serbia”, ka thënë Vuçiq, duke shtuar se “shteti dëshiron të lejojë të gjithë lirinë e tubimit dhe shprehjes”.
Ai ka shtuar më tej: “Shteti nuk dëshiron të reagojë dhe shmang përdorimin e forcës, por shteti nuk mund dhe nuk duhet të lejojë këtë lloj dhune, sepse atëherë nuk është më shtet”.
Protestat, që kanë përfshirë qytete të shumta në vend, kanë nisur që nga e shtuna, me kërkesat kryesore: shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme, lirimin e protestuesve të arrestuar dhe heqjen e kampit të improvizuar në Parkun Pionirski në Beograd, ku ndodhen të ashtuquajturit “studentë që duan të mësojnë”, në përkrahje të qeverisë së Vuçiqit.
Ndërkohë, pakënaqësia qytetare është rritur që nga 1 nëntori i vitit të kaluar, kur ndodhi një tragjedi në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit, ku 16 persona humbën jetën pas shembjes së një tende. Protestuesit e mbajnë përgjegjës sistemin shtetëror “të korruptuar” për këtë ngjarje






