Prokuroria Themelore në Prizren po heton dyshime për keqpërdorim të fondeve publike në projektin e ndërtimit të lapidarit të dëshmorëve në fshatin Studençan.
Sipas dosjes së Prokurorisë, është iniciuar kallëzim penal ndaj dy zyrtarëve të Komunës së Suharekës, të cilët dyshohet se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.
Bëhet fjalë për projektin “Ndërtimi i lapidarit në Studençan, Vraniq dhe Dubravë”, me numër prokurimi 624-23-9383-5-2-1, të nënshkruar më 20 tetor 2023 në vlerë prej 49,995 euro.
Sipas të dhënave të përfshira në dosje, ekziston dyshimi se shuma prej 6,900 euro, e planifikuar për lapidarin në Studençan, nuk është investuar në terren, pasi lapidari i fshatit është ndërtuar më herët nga vetë banorët, përmes vetëfinancimit.
Në dokumente figuron se në fund të vitit fiskal 2023 janë kryer pagesa për operatorin ekonomik, çka ka ngritur dyshime për mospërputhje mes punimeve të raportuara dhe atyre reale.
Sipas burimeve hetimore, më 3 prill 2025 është ngritur kallëzim penal ndaj dy zyrtarëve komunalë, ndërsa rasti ndodhet ende në fazën e shqyrtimit nga organet e drejtësisë.












