Dragan Stojkoviç ka hyrë në historinë e përfaqësueses së Serbisë për mënyrën si u detyrua të largohej duke dhënë dorëheqjen praktikisht në mes të ndeshjes ndaj Shqipërisë. Koret kundër tij teksa kuqezinjtë udhëhiqnin takimin në Leskovac, bënë që ish-futbollisti i njohur të ngrihej në këmbë dhe të përshëndeste tifozët, për t’u ulur në pankinë duke i besuar drejtimin e ekipit ndihmësit të tij në minutat e fundit.
“Piksi” më pas u shfaq në konferencë për mediat duke thënë që në fillim se kishte dhënë dorëheqjen e nuk do drejtonte ekipin në Andorra. Serbia fitoi pa të në stol, ndërsa largimi i Stojkoviç u zyrtarizua sot nga bordi i Federatës Serbe, i cili gjithashtu publikoi edhe një mesazh lamtumire të tij si pjesë të “zgjidhjes miqësore të kontratës”.
“Pas katër vitesh e gjysmë, nuk jam më trajner i ekipit kombëtar “A” të Serbisë. Para së gjithash, dua të falënderoj sinqerisht Federatën e Futbollit të Serbisë për besimin që ka shfaqur, ka qenë një nder dhe një privilegj i madh të drejtoj ekipin kombëtar të vendit tim.
Së bashku, ia dolëm të arrinim një rezultat historik dhe, pas 24 vitesh, të lidhnim dy gara të mëdha – Kampionatin Botëror dhe atë Europian. Ia dolëm të arrinim qëllimin që i vura vetes si trajner.
Do t’i kujtoj përgjithmonë skenat nga Lisbona, sepse është një nga momentet më të bukura në jetën time dhe një nga sukseset më të mëdha të futbollit serb në historinë e kohëve të fundit.
Në Ligën e Kombeve, ne gjithashtu e përfaqësuam Serbinë në mënyrën më të mirë të mundshme – u kualifikuam për Ligën A dhe në konkurrencë me ekipe kombëtare shumë cilësore, arritëm të ruanim statusin tonë në radhët elitare të futbollit europian.
U përpoqa të bëja gjithçka që ishte në fuqinë time për t’u dhënë një shans lojtarëve që mund të kishin zgjedhur një rrugë tjetër, të vishnin fanelën e një skuadre tjetër kombëtare – por vendosën të luanin për Serbinë. Në katër vjet e gjysmë të fundit, kemi promovuar një numër të madh futbollistësh të rinj të cilët, jam i bindur, janë e ardhmja e futbollit serb.
I uroj pasardhësit në stolin e ekipit kombëtar, kushdo qoftë, shumë lumturi dhe sukses. I uroj Federatës së Futbollit të Serbisë dhe të gjithë publikut të futbollit të vazhdojnë të ndërtojnë një atmosferë uniteti dhe mbështetjeje, sepse kjo është e vetmja mënyrë që mund të ecim përpara. Tek unë, ata gjithmonë do të kenë një aleat, një tifoz dhe një njeri që është i nderuar të jetë me Serbinë e tij.
Ashtu siç dikur mbaja me krenari emblemën kombëtare si lojtar, ashtu edhe sot, me të njëjtin pasion dhe dashuri, mbetem me vendin tim, me ekipin tonë, futbollin tonë dhe popullin tonë”, shkruhej ndër të tjera në mesazhin e lamtumirës së Stojkoviç.






