Një nga goditjet më të mëdha pasurore të viteve të fundit është ekzekutuar sot nga SPAK, i cili krahas urdhër-arresteve ndaj personazheve të njohur të botës së krimit, ka vendosur sekuestro mbi pasuri që dyshohet se arrijnë vlerën e rreth 150 milionë eurove.
Në qendër të operacionit janë emra të njohur për drejtësinë shqiptare dhe autoritetet ndërkombëtare, mes tyre Eldi Dizdari, Dritan Gjika dhe Armando Paçani. Hetimet kanë çuar në sekuestrimin e një numri të madh kompanish, investimesh turistike, hotelesh, komplekse rezidenciale dhe projekteve luksoze në disa nga zonat më të shtrenjta të vendit.
Mes subjekteve të goditura janë shoqëritë Aliu Road House, Green Invest, Seaview Development, A.R.H Security, Altea Construction, F&XH Invest, Altea Invest dhe S.T.N.P.M, ndërsa nën sekuestro kanë përfunduar edhe të drejta pasurore mbi projekte strategjike turistike dhe rezidenciale.
Goditja prek edhe një pjesë të kompleksit multifunksional turistik, rezidencial dhe komercial në Gjirin e Lalzit, të njohur si Lalzi Marina Seaside, si dhe të drejtat mbi projektin për ndërtimin e hotelit luksoz me 5 yje “Zig-Zag” në Jalë të Himarës.
Nën masë sekuestroje janë vendosur gjithashtu të drejtat pasurore mbi projektin rezidencial Astoria Residence në zonën e Mjull-Bathores në Tiranë, si dhe investime të tjera hotelerie në Dhërmi, përfshirë edhe pasuritë e lidhura me Hotel Elisa Tirana, Affiliated by Meliá.
Operacioni përfaqëson një tjetër goditje të SPAK ndaj rrjeteve të dyshuara të trafikut ndërkombëtar të drogës dhe pastrimit të parave, duke synuar jo vetëm personat e përfshirë, por edhe bazën ekonomike që dyshohet se është ndërtuar përmes fitimeve kriminale. Hetimet vijojnë për identifikimin e pasurive të tjera dhe personave të përfshirë në skemë.








