Pas përfundimit të dëshmisë të gjeneralit amerikan, Wesley Clark, për dy ditë me radhë, si dëshmitari i fundit i thirrur nga mbrojtja e Hashim Thaçit, sot mbahet konferencë mbi ecurinë e çështjes.
Në kalendarin e Dhomave të Specializuara, thuhet se ky sesion do të fillojë në orën 14:00.
Sot pritet të vendosen afatet për fjalët përfundimtare për gjyqin ndaj Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Clark gjatë dëshmisë së tij në Hagë tha se sipas asaj që kishte parë në Rambuje, Hashim Thaçi nuk ishte komandant ushtarak.
Veç kësaj, ai shtoi se nuk ka prova që UÇK-ja qëndronte mbrapa spastrimit etnik të serbëve më 1999-ën.
Përveç kësaj, ai tha se s’ka pasur kontroll civil mbi UÇK-në dhe që s’është e mundur që të ketë hierarki pa qenë në dijeni SHBA-ja. Madje, ai shtoi se Thaçi s’ka pasur kontroll mbi njerëzit që kanë kryer krime.
Duke folur për deklaratat se UÇK-ja ishte organizatë terroriste në fillimet e saj, Clark tha se kur njerëzit luftojnë kundër shtypjes, ata kalojnë nga të qenët terroristë në luftëtarë lirie. Ai tha se kjo organizatë ishte vetëorganizuar dhe se ushtria serbe iu frikësohej atyre.









