Avokati Ariant Koci ka bërë thirrje për një aksion simbolik para hyrjes së Kuvendit të Kosovës, në ditën kur do të mbahet përpjekja e 27-të për konstituimin e tij.
Përmes një postimi në Facebook, Koci ka njoftuar se ky aksion simbolik do të nisë në ora 10:30, ndërsa në ora 11:00 do të “mbyllë derën” e Kuvendit me një fjonge, si simbol i bllokimit moral ndaj deputetëve që, sipas tij, po luajnë me durimin e qytetarëve.
“Sot, në ora 11:00 – ua mbyllim derën deputetëve! Deputetët futen në Kuvend – për herë të 27-të. Por sot, nuk kanë të drejtë me dalë pa marrëveshje politike. Kjo lojë me durimin e popullit duhet të marrë fund”, ka shkruar Koci.
Ai ka theksuar se ky aksion do të jetë paqësor, pa dhunë apo tension, por me kërkesë për përgjegjësi nga ana e deputetëve.
“Ftoj edhe mediat që na përkrahin, dhe Policinë e Kosovës që të na mundësojë protestën e qetë – ashtu siç e parasheh Kushtetuta”, ka shtuar ai.
Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të konstituohet për 26 herë me radhë pas zgjedhjeve të fundit, duke futur vendin në një krizë të thellë institucionale.









