Ish-kameramani i luftës, Sylejman Kllokoqi, për dy vjet qëndroi në Bosnje Hercegovinë gjatë rrethimit të Sarajevës nga forcat serbe.
E gjitha kjo, gjatë rrethimit të Sarajevës nga forcat serbe, në luftën e Bosnje Hercegovinës.
Në këtë rrethim, u vranë mbi 11 mijë persona.
Por, krisma e një arme dallohej nga të tjerat.
Behët fjalë për snajperin, armën më të përfolur në ditët e fundit në Bosnje dhe Hercegovinë.
“Në terren është fol kjo punë, por Sarajevën e ke pasur nonstop neper vende të caktuar, shenjat se këtu është duke gjuajtur snajperi. Pra, qyteti ka qenë i mbushur me vende “mos kalu këtu, se është snajperi”. Më së shumti janë qëlluar njerëzit kur kanë shkuar me marrë ujë dhe në ceremoni varrimi”, rrëfehet ai.
Kllokoqi ka zbuluar një moment kur ishte shënjestra e një snajperisti.
Madje thotë se shpëtoi për pak centimetra.
“Shkova me marrë ujë, mendova se është më i sigurt një vend afër televizionit të Sarajevës. Në moment që shkova me marrë ujë aty, gjuajti snajperi, por nuk kishte qenë snajperist i fortë se diku ia huqi për 5 cm, i mëshoi betonit afër kokës sime”, shprehet ai.
Veprimet e mëvonshme të kameramanit, i shpëtuan jetën.
“Unë automatikisht jam shtrirë kinse i vdekur. Kam pritur 3-4 minuta pastaj jam cuar e me vrap kam ikur dhe shpëtova”, tregon Kllokoqi.
Gëzimi i kolegëve, ishte i njëjtë me atë të vet Kllokoqit.
“Ata të televizionit të Sarajevës shikonin nga dritarja, më thirrnin “Klloki, Klloki, a je gjallë” dhe në momentin që kam ikë, të gjithë kanë duartrokite të gjithë”, thotë ai.
Së fundmi, prokurorët italianë në Milano, kanë nisur hetimet pas dyshimeve se edhe italianët e pasur udhëtuan në Sarajevë gjatë rrethimit dhe paguan shuma të mëdha parash, për të qëlluar mbi civilët.








