Një operacion i gjerë i Policisë ka zbuluar një skemë të dyshuar të falsifikimit të dokumenteve dhe përfitimit të kundërligjshëm të pronave në rajonin e Ferizajt.
Pas një hetimi disa mujor, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), në koordinim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj, ka zbatuar më 28 prill 2026 urdhër kontrollin e Gjykatës Themelore në tri lokacione në Ferizaj, Gjilan dhe Prishtinë, raporton Sinjali me burime.
Sipas të dhënave nga hetimi, pesë persona – Gazmend Heta, rreth 60-vjeçar, Bojan Lazic, rreth 45-vjeçar, Feriz Ukshinaj, rreth 54-vjeçar, Naim Sadikaj, rreth 44-vjeçar dhe Jahi Maliqi, rreth 40-vjeçar – dyshohet se në bashkëpunim kanë ndërtuar një skemë të falsifikimit të dokumenteve për përfitim pronash.
Hetimet kanë zbuluar se është përdorur një identitet i rremë, përmes dokumenteve të falsifikuara si letërnjoftim i Serbisë, certifikatë lindjeje dhe vdekjeje, me të cilat një person është paraqitur si pronar i parcelave në një fshat të Ferizajt.
Në këtë mënyrë janë siguruar certifikata pronësie për parcela me sipërfaqe totale prej 56,411 metra katrorë nga Zyra Kadastrale në Ferizaj.
Më pas, përmes një autorizimi të përpiluar dhe të nënshkruar në një restorant në Ferizaj, prona është kaluar tek përfitues të tjerë. Sipas hetimeve, një pjesë prej 20,458 m² i është shitur bashkëshortes së njërit prej të dyshuarve, ndërsa 9,332 m² një personi tjetër, përmes kontratave të shitblerjes të realizuara tek i njëjti noter.
Gjatë bastisjeve janë sekuestruar dokumente, fotografi dhe prova të tjera që lidhen me këtë skemë.









