Skandali i radhës me naftëtarët: Inspektorati e dërgon në gjykatë “DHF Company” të Hysen Jusajt për abuzim me çmimet e naftës

Për shkak të krizës së naftës si pasojë e luftës së ShBA-së dhe Izraelit me Iranin, çmimi i derivateve të naftës ishte ngritur në gjithë botën, ku në Kosovë ishin vërejtur tendenca me abuzim të çmimeve nga kompanitë që merren me shitjen me shumicë dhe pakicë të këtyre derivateve, raporton Veriu.info.

Për ta mbajtur situatën nën kontroll dhe për t’i mbrojtur konsumatorët, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, duke u mbështetur në Ligjin për Tregtinë me Produkte të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtëritshme, kishte vendosur që në baza ditore të caktojë çmimin maksimal të shitjes së derivateve të naftës.

Mirëpo, disa kompani nuk kishin zbatuar vendimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, pasi që naftën e kishin shitur me çmime më të larta, duke shkelur ligjin dhe dëmtuar konsumatorët.

Veriu.info ka siguruar disa dokumente të Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, me të cilat konstatohet se “DHF Company” Sh.P.K. e Hysen Jusajt ka shkelur vendimet shtetërore, duke shitur derivate të naftës mbi çmimin maksimal të lejuar.

Më 6 mars 2026 inspektorët e tregut së bashku me inspektorët e ATK-së kishin zbarkuar në “DHF Company” Sh.P.K. e Hysen Jusajt, ku kanë konstatuar se kjo kompani ka tejkaluar marzhën tregtare maksimale të lejuar për shitje me pakicë dhe shumicë të derivateve të naftës, duke shkelur kështu vendimin për rregullimin e çmimeve të caktuara.

Për shkak të abuzimit me çmime të naftës, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut më 2 prill 2026 ka bërë kërkesë për fillimin e procedurës kundërvajtëse në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj “DHF Company” Sh.P.K. të Hysen Jusajt.

Sipas IQMT-së, ky veprim i “DHF Company” Sh.P.K. është në kundërshtim me nenin 15 të Ligjit nr.08/L-018 për Tregtinë me Produkte të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtëritshme, i sanksionuar me nenin 19 paragrafi 13 të po të njëjtit ligj dhe në nenin 26 të Ligjit nr. 06/034 për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe ndëshkohet me nenin 137 të po të njëjtit ligj.

Sanksionet e nenit 19, paragrafi 13

Për shkelje të vendimit për marzhën e fitimit maksimal, në kërkesë thuhet se sanksioni është paraparë me nenin 19, paragrafi 13 i Ligjit nr.08/L-018 për Tregtinë me Produkte të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtëritshme.

Sipas paragrafit 13, dënimi maksimal për persona juridikë është i paraparë në shumën prej 6 mijë euro.

Kushdo që, në kundërshtim me nenin 15 të këtij ligji, nuk respekton kufizimin e çmimit të produktit të naftës ose karburantit të ripërtëritshëm dënohet me gjobë prej dy mijë (2.000) deri në gjashtë mijë (6.000) euro, si person juridik”, thuhet në paragrafit 13 të nenit 19 të Ligjit nr.08/L-018.

Kush është “DHF Company” Sh.P.K.?

“DHF Company” Sh.P.K. është themeluar në vitin 2012, ku 100% të aksioneve i zotëron Hysen Jusaj.

Aktivitet kryesor i kësaj kompanie është tregtia me pakicë e karburantit për automjete në dyqane të specializuara.

Në vitin 2024 në media ishte raportuar një skandal në Komunën e Prishtinës, nën dyshimin se ky institucion kishte kurdisur një tender në vlerë prej mbi 200 mijë euro për këtë kompani (Lexo: KËTU)

Foto: Hysen Jusaj - pronar i “DHF Company” Sh.P.K.
Foto: Hysen Jusaj – pronar i “DHF Company” Sh.P.K.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit