Shkruan: Emanuel Demaj
Zgjedhjet lokale të 12 tetorit në Kosovë duket se janë shoqëruar me një skandal të madh që ngre dyshime serioze mbi integritetin e procesit zgjedhor dhe besueshmërinë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Sipas raportimeve dhe reagimeve të shumta në terren, mbi 10.000 qytetarë nuk kanë mundur të votojnë, për shkak të ndryshimeve të papritura në vendvotime. Shumë prej tyre, pasi kanë mbërritur në qendrat ku tradicionalisht kishin votuar për vite me radhë, janë përballur me një fakt tronditës, emrat e tyre nuk figuronin më në listën e atij vendvotimi.
Këto ndryshime, të cilat kanë prekur një numër të madh komunash, kanë ngritur pikëpyetje të mëdha:
• Kush i bëri këto ndryshime në listat e votuesve?
• Pse qytetarët nuk u informuan paraprakisht?
• Dhe më e rëndësishmja: A është cenuar integriteti i votës dhe i procesit demokratik në vend?
Edhe pse KQZ kishte më shumë se gjashtë muaj kohë për t’u përgatitur, duket qartë se shërbimi i brendshëm i menaxhimit të listave të votuesve ka dështuar. Ky nuk është më një gabim teknik, ky është një skandal institucional që kërkon hetim të menjëhershëm nga organet kompetente, përfshirë Prokurorinë e Shtetit dhe Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit.






