Gjatë një inspektimi të Inspektoratit Shëndetësor të Ministrisë së Shëndetësisë u konstatua se laboratori “Olive Medical Group Sh.P.K.”, ku punon bashkëshortja e ministrit në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia, ka kryer 53 analiza laboratorike më 26 korrik 2025 pa praninë e biokimistes së autorizuar, Dr. Ilirjana Frrokaj. Për këtë shkelje, laboratorit i është shqiptuar vetëm një gjobë simbolike prej 1 mijë eurosh, pavarësisht rrezikut të mundshëm për pacientët.
Në vitin 2022 ishte raportuar se “Olive Medical” ishte bërë laboratori i parë në Kosovë i akredituar me standardet ISO 15189, por disa vite më vonë rezulton se ky laborator kryen edhe analiza në mënyrë të kundërligjshme dhe të pasigurt për pacientët.
Në arsyetimin e vendimit të siguruar nga Veriu.info, thuhet se gjatë kontrollimit të regjistrimit të pacientëve është konstatuar se rezultatet e analizave laboratorike janë lëshuar pa praninë e biokimistes, më saktësisht pa praninë e Dr. Ilirjana Frrokaj. Vetë biokimistja kishte pranuar verbalisht: “Këto analiza nuk i kam punuar unë”.
Inspektorati Shëndetësor ka vërejtur se në sistemin elektronik të Divizionit për Licencim dhe Akreditim nuk figuron e shtuna si ditë pune e saj, pasi ajo është e lajmëruar të punojë vetëm nga e hëna deri të premten.
Laboratori “Olive Medical Group Sh.P.K.” është themeluar në vitin 2017, ndërsa 100% të aksioneve i zotëron Bekim Murati. Në kuadër të këtij institucioni funksionon si Laboratori, ashtu edhe Klinika.
Vitet e fundit, ky laborator ka qenë në qendër të vëmendjes mediale pasi Arben Vitia, asokohe ish-ministër i Shëndetësisë, ishte punësuar si drejtor në vitin 2022. Bashkëshortja e tij, e cila punon aty, kishte deklaruar të hyra vjetore prej 30,166 euro dhe pagesë për punë jashtë orarit në vlerë prej 4,500 euro në deklarimin e pasurisë për vitin 2025.
Roli i biokimistit/es është thelbësor për saktësinë dhe besueshmërinë e analizave laboratorike. Ai/ajo mbikëqyr procesin, kontrollon cilësinë, identifikon gabimet, sugjeron analiza shtesë dhe garanton që rezultatet e lëshuara të jenë të sakta dhe interpretohen korrekt, duke siguruar trajtim të sigurt të pacientëve.









