Gjatë protestave në Serbi që u mbajtën fundjavën e kaluar, u arrestuan dhjetëra persona. Në mesin e të arrestuarve është edhe Miguel Angel Beltran Villegas, profesor nga Kolumbia.
Siç ka deklaruar profesori Beltran, i cili kishte ardhur në Serbi për Kongresin e Amerikanistëve, ai është arrestuar për shkak të akuzës për “terrorizëm”. Sipas tij, së bashku me të janë ndaluar edhe bashkëshortja e tij, profesoresha Natalia Caruso, si dhe dy fëmijët e tyre të moshës së mitur.
Lidhur me këtë arrestim ka reaguar presidenti i Kolumbisë, Gusatvo Petro, duke thënë se ka ngjallur indinjatë të plotë tek ai.
“Ajo që i ka ndodhur profesorit Beltran në Beograd ngjall indinjatën time të plotë. Qeveria e Serbisë duhet t’i shpjegojë Kolumbisë pse po i ndalon intelektualët tanë”, ka shkruar Petro.
“Këto lista të zeza të kolumbianëve të profilizuar sipas bindjeve të tyre politike mund të kenë ardhur vetëm nga qeveria e Kolumbisë dhe përbëjnë një shkelje të qartë të të drejtave të njeriut, e cila duhet hetuar dhe ndalur menjëherë. Për këtë arsye, kundërshtoj çdo transferim të të dhënave biometrike të kolumbianëve te shtete të huaja. Lufta kundër krimit po përdoret si justifikim për të vendosur ndjekje politike”, ka deklaruar Petro.






