Diego Garcia në Oqeanin Indian ndodhet rreth 4.000 kilometra larg Iranit. Përpjekja për ta goditur me raketa ka ngritur alarmin për fuqinë raketore të këtij vendi dhe ka shtuar frikën se ai mund të synojë pjesë të mëdha të Evropës – teorikisht edhe Kosovën.
Raketat u nisën më 20 mars drejt një baze ushtarake të SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar – njëra dështoi, ndërsa tjetra u rrëzua. Ajo që arriti të fluturonte, përshkoi rreth 3.000 kilometra nga baza e nisjes.
Ushtria izraelite tha se Irani ka lëshuar raketa balistike me rreze të gjatë drejt një objektivi amerikan, duke dëshmuar kapacitete prej rreth 4.000 kilometrash – mjaftueshëm për të vënë në shënjestër edhe kryeqytetet evropiane.
“Këto raketa nuk kanë për qëllim të godasin Izraelin. Rrezja e tyre arrin kryeqytetet evropiane. Berlini, Parisi dhe Roma janë brenda rrezes së kërcënimit të drejtpërdrejtë”, tha shefi i ushtrisë izraelite, Eyal Zamir.
Instituti për Studime të Luftës (ISW), me seli në Uashington, vlerësoi se kjo ishte përpjekja më e largët ndonjëherë e Iranit për të goditur një objektiv me raketa.
“Sulmi tregoi se raketat iraniane mund të arrijnë përtej kufirit prej 2.000 kilometrash, të cilin regjimi ka thënë prej kohësh se e ka vendosur vetë si limit… Sulmi i tentuar përmbys disa nga supozimet për programin raketor të Iranit, veçanërisht sa i përket kërcënimit që ai mund të paraqesë për Evropën”, sipas ISW-së.

Deri më tani besohej se Irani nuk kishte kapacitet të godiste në distanca të tilla, ndërsa vetë regjimi pretendonte se kishte vendosur atë kufi prej 2.000 kilometrash në programin e tij të raketave balistike.
Sipas vlerësimeve të inteligjencës amerikane, Irani disponon rreth 14 lloje të ndryshme raketash të tilla – të pajisura me koka luftarake bërthamore ose konvencionale.
E kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, NATO-ja nuk komentoi sulmet ndaj Diego Garcias dhe kapacitetet raketore të Iranit, duke iu referuar vetëm deklaratës së mëparshme për rastin kur Turqia interceptoi me sukses sulme të ngjashme nga Irani.
Ndërsa aftësitë e raketave iraniane vazhdojnë të shqyrtohen, një zyrtar i BE-së tha për Radion Evropa e Lirë, në kushte anonimiteti, se ky është një dimension i ri i luftës me Iranin dhe se mbrojtja ajrore e kontinentit – katër vjet pas nisjes së luftës në Ukrainë – është mjaft e varfëruar. Deri më tani, BE-ja i ka ndarë Ukrainës mbi 70 miliardë euro ndihmë ushtarake për të luftuar pushtimin rus.
Mark Cancian, kolonel i pensionuar i Marinës amerikane, aktualisht këshilltar i lartë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington, e konsideron kërcënimin ndaj Evropës si “shumë real”.
Sipas tij, bazuar në rrezen e demonstruar të lëshimeve të kaluara raketore, Irani mund të godasë disa pjesë të Evropës Juglindore. Ai thotë se Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja e kanë parashikuar këtë rrezik prej kohësh dhe kanë ndërtuar sisteme mbrojtëse në Poloni dhe Rumani, por paralajmëron se Evropa ende nuk është plotësisht e përgatitur.
“... sepse, kërcënimi është relativisht i ri. Hapat e parë për mbrojtje kundër Iranit janë ndërmarrë, ndërkohë që po zhvillohen kapacitete në lindje për mbrojtje kundër raketave dhe dronëve rusë. Polonia ka ndërtuar një ushtri dhe sistem të mbrojtjes ajrore shumë të fuqishëm, ndërsa hapa të ngjashëm po ndërmerren edhe nga vendet baltike”, thotë Cancian për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.
Më skeptik për kapacitetet e Iranit për të goditur drejtpërdrejt Evropën shprehet Gordan Akrap, ish-zyrtar i komunitetit të inteligjencës kroate, tani ligjëruses në Universitetin e Mbrojtjes dhe Sigurisë “Dr. Franjo Tugjman”.
“Së pari, duhet konfirmuar nëse Irani ka raketa që mund të godasin objektiva në distanca prej 4-5 mijë kilometrash. Edhe nëse i ka ato mundësi – duke marrë parasysh flotën e madhe në Mesdhe dhe shpërndarjen e sistemeve antiraketore – jam i bindur se ato do të shkatërroheshin gjatë fazës së afrimit, pasi do të duhej të kalonin mbi Izraelin ose Turqinë. Me shumë gjasa, do të neutralizoheshin në ato hapësira”, thotë Akrap për Exposenë.
Në këtë kontekst, Kosova përfshihet gjithashtu në analizë, për shkak të pranisë së saj ndërkombëtare. Vendi strehon misionin paqeruajtës të NATO-s, KFOR, si dhe bazën më të madhe amerikane në Ballkan, Bondsteel. Sipas të dy ekspertëve, kjo e bën Kosovën shënjestër potenciale, por jo të pambrojtur.
Koloneli Cancian thekson se Kosova përfshihet brenda mbulimit të sistemit antiraketor të NATO-s në Rumani dhe mund ta forcojë mbrojtjen e saj duke bashkëpunuar ngushtë me aleancën.
“Shumë vende kanë marrëdhënie me NATO-n që u mundësojnë të koordinojnë gjëra të tilla si mbrojtja ajrore. Natyrisht, suedezët dhe finlandezët i kanë pasur këto marrëdhënie shumë vite para se të bëheshin anëtarë. Kështu që, është e mundur ta vendosësh një vend të vogël nën ombrellën e NATO-s pa qenë domosdoshmërisht anëtar i saj”, thotë Cancian.









