“Thika pas shpine”, dyshime për përfshirjen e oligarkëve rusë, kompetenca të plota, përjashtimi i vendimmarrjes nga organet shtetërore, e shumë të tjera, karakterizuan tenderin për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës, me ‘autorin’ e vetëm të të gjitha këtyre të bëmave, milionerin kosovar – Behgjet Pacollin.
Gjithçka nisi si një bashkëpunimi i ndërsjellë mes Kosovës e Shqipërisë. Në vitin 2021, Qeveria shqiptare ia kishte besuar njërin nga asetet me të rëndësishme të vendit – Aeroportin e Vlorës, ish-presidentit të Kosovës biznesmenit Behgjet Pacolli.
Ndërtimi i një pjese të aeroportit kishte nisur në fillim të po atij viti. Ishte testuar edhe pista e aeroportit nga vetë Pacolli e kryeministri Rama, ndërsa gjatë një inspektimi në vitin 2023 ishte premtuar se fluturimet do të nisnin në mars të vitit 2025.
Por në fund tenderi prej 104 milionëve për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës mori krejt kahje tjetër.
Në fillim të tetorit të vitit që lamë pas mediat shqiptare nisën raportimet për dyshimet e përfshirjes së oligarkëve rusë në Aeroportin e Vlorës.
Sipas asaj që raportohej atë kohë, Prokuroria ishte vënë në alarm për mundësinë e kalimit të Aeroportit të Vlorës në duart e oligarkëve rusë.
Pacolli kishte vendosur në hipotekë si garanci Aeroportin e Vlorës në një kredi prej 100 milionë eurove të marrë nga ai në bashkëpunim me kompaninë “Delphos Securities Sarl”, një kompanie offshore me bazë në Luksemburg
Sipas marrëveshjes që ishte publikuar nga mediat shqiptare nëse Pacolli nuk arrinte të shlyejë kredinë me interes fillestar 7.6%, atëherë Aeroporti i Vlorës do t’i kalonte nën kontroll ekonomik kompanisë “Delphos Securities Sarl”.
Kompania me të cilën ai lidhi marrëveshja ishte e regjistruar në Luksemburg si një shoqëri titrizimi. Ajo, dyshohej se është e lidhur me Rusinë.
Lidhja me oligarkët rusë nuk ishte shkëndija e vetme që shkaktoi kaos në Shqipëria për aeroportin.
Pacolli me vëllain e tij, Eminin, si dhe punonjësin e kompanisë “Macbo”, Nelson Çela, po hetoheshin nga Prokuroria në Shqipëri për “mashtrim me pasoja të rënda”, “falsifikim dokumentesh” dhe “mashtrim kompjuterik”.
Ata dyshoheshin se kishin mashtruar partnerin e tyre në koncesion për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës, Valon Ademin, një biznesmen tjetër po nga Kosova.
Sipas një kallëzimi penal të deponuar në Prokurori, Pacolli dyshohej se mashtroi Ademin për pronësinë e Aeroportit. Ai pretendonte se ishte zotërues i 98% të aksioneve të Aeroportit, ndërsa Ademi është zotërues i 2% të aksioneve.
Por, Ademi pretendonte se ekzistonte një kontratë noteriale e vitit 2022, sipas së cilës, ai ishte pronar i 47% të aksioneve dhe Pacolli 53%. Por, kjo kontratë nuk ishte regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) në Shqipëri. Në dokumentet zyrtare, Pacolli figuronte zotërues i 98% të aksioneve.
Përpos kallëzimit penal të ushtruar në Prokurorinë e Tiranës, Valon Ademi parashtroi padi edhe në Gjykatë për vendosjen e masës së sigurisë në raport me vendimet e Aeroportit të Vlorës.
Gjykata vendosi që të pezullojë çdo vendim të planifikuar në Asamblenë e Përgjithshme të Ortakëve të biznesit “Vlora International Airport – VIA Sh.P.K”, e cila ishte caktuar të mbahej më 20 tetor 2025.
Gjykata e përjashtoi Pacollin nga vendimmarrja, i dha të drejtë Valon Ademit
Më 24 dhjetor të vitit 2025, Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë kishte marrë vendim për sigurim të padisë për rastin e “Vlora International Airport – VIA”, duke e aprovuar si të bazuar kërkesën e paraqitur nga “2A Group” me pronar Valon Ademin.
Përmes vendimit të 24 dhjetorit, Gjykata kishte pezulluar të drejtën e votës së aksionarit Mabco Construction SA, të drejtuar nga Behxhet Pacolli.
Vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë është vërtetuar nga Gjykata e Apelit.
Kolegji prej tre gjyqtarëve i Gjykatës së Apelit në Tiranë vendosi që të lë në fuqi masën e sigurisë së Shkallës së Parë me të cilën i jep të drejt aksionarit Valon Ademi të administrojë Aeroportin e Vlorës.
Me këtë vendim Apeli ka vërtetuar dyshimet dhe ka bllokuar mundësinë që Aeroporti i Vlorës t’i bartet një binzesi të dyshimtë në lidhje me Rusinë.










