Me valët ekstreme të të nxehtit që po përfshijnë Evropën e vende të tjera, ekspertët paralajmërojnë se është e rëndësishme të dallohen tri gjendje të ndryshme që shpesh ngatërrohen: stresi, lodhja dhe sulmi nga nxehtësia, ka shkruar TIME.
Stresi nga nxehtësia
Ky është termi më i përgjithshëm që përfshin reagimet e para të trupit ndaj temperaturave të larta gjatë aktivitetit fizik.
Simptomat mund të përfshijnë skuqje të lëkurës, ngërçe muskulore, marramendje dhe ndjesi të fikti.
Në këtë fazë, trupi përpiqet të ftohet përmes djersitjes, por mekanizmat e tij fillojnë të mbingarkohen.
Ekspertët këshillojnë ndalimin e aktivitetit, qëndrimin në hije ose në një vend të freskët dhe pirjen e ujit me gllënjka të vogla. Në rast ngërçesh, mund të ndihmojnë pijet me elektrolite.
Lodhja nga nxehtësia
Kjo gjendje ndodh kur trupi humb shumë ujë dhe kripëra për shkak të djersitjes së tepërt.
Simptomat përfshijnë: të përziera, të vjella, dobësi fizike, dhimbje koke të forta, irritim, lëkurë të ftohtë dhe të lagësht, si dhe temperaturë të lartë trupore.
Në raste më të rënda, mund të ndodhin dëmtime të organeve, sidomos të veshkave.
Personi duhet të zhvendoset menjëherë në një vend të freskët ose me ajër të kondicionuar dhe të pijë lëngje në mënyrë të kontrolluar. Nëse gjendja nuk përmirësohet, duhet kërkuar ndihmë mjekësore urgjente.
Sulmi nga nxehtësia
Kjo është gjendja më e rrezikshme dhe përbën emergjencë mjekësore.
Ndodh kur trupi nuk arrin më të rregullojë temperaturën dhe ajo kalon mbi 40°C. Në këtë fazë, djersitja ndalon dhe organet fillojnë të dështojnë.
Simptomat përfshijnë humbje të vetëdijes, konfuzion, kriza ose delir. Temperatura trupore mund të rritet shumë shpejt dhe pa trajtim urgjent, mund të çojë në dëmtime të përhershme ose vdekje.
Ekspertët theksojnë se në rast dyshimi për sulm nga nxehtësia, duhet thirrur menjëherë urgjenca dhe personi duhet të ftohet sa më shpejt që të jetë e mundur.








