spot_img
spot_img
Tuesday, February 3, 2026
spot_img
spot_img

Si ta fitojmë luftën hibride me Kremlinin!

Përballë një strategjie ruse që synon të gjymtojë infrastrukturën kritike të Evropës pa hapur një luftë të drejtpërdrejtë, Perëndimi duhet të përqafojë parimin e “përshkallëzimit për të shtensionuar”, si mjetin e vetëm për të rikthyer fuqinë e pengimit ushtarak.

Rusia po zhvillon një konflikt që nuk njeh as kufij gjeografikë, as rregulla ndërkombëtare. Ndërsa vëmendja botërore është e përqendruar tek fronti i hapur në Ukrainë, një betejë tjetër, po aq e rrezikshme, po zhvillohet brenda territorit të NATO-s.

Kjo është “lufta në hije”: një fushatë e menduar me kujdes, e mbushur me sabotazhe, atentate dhe sulme fizike, e projektuar për të dobësuar Evropën, por pa e detyruar atë të reagojë përmes një konflikti të hapur.

Objektivi i Moskës: Më shumë se Ukraina

Për Vladimir Putinin, pushtimi i Ukrainës nuk është një episod i izoluar. Ai e sheh veten në një luftë ekzistenciale kundër vetë rendit perëndimor. Synimi i tij është të thyejë koalicionin që mbështet Kievin, të neutralizojë opozitën ruse në mërgim dhe të shkatërrojë vullnetin e Evropës për të rezistuar.

Për ta arritur këtë, Kremlini ka kaluar nga operacionet hibride tradicionale – si dezinformimi apo sulmet kibernetike – tek veprime të hapura dhe të prekshme. Lista e akteve ruse në hije po zgjerohet me shpejtësi alarmante: dronë që paralizojnë aeroporte

në Norvegji e Gjermani, anije “fantazmë” që dëmtojnë kabllot jetike të energjisë dhe internetit në Detin Baltik, pajisje shpërthyese që krijojnë kaos në depot logjistike të Polonisë e Britanisë.

Dhe madje edhe tentativa për eliminimin e drejtuesve të industrisë së mbrojtjes evropiane. Për Kremlinin, nuk ka asnjë dallim mes një fushëbeteje në Donbas dhe një kablloje interneti nën ujërat e Detit të Veriut’; që të dyja janë pjesë e të njëjtit front.

Dështimi i “qortimeve të lehta”

Deri më sot, reagimi i Evropës ka qenë i vakët, shpesh i reduktuar në masa simbolike.

Çdo sabotazh trajtohet si një çështje policore apo kriminale, jo si akt lufte nga një shtet. Retorika e ashpër, dëbimet diplomatike apo sanksionet e lehta i dërgojnë Moskës vetëm një mesazh dobësie.

Ky ngurrim për të reaguar, buron nga frika e përshkallëzimit. Evropa synon të shmangë një konflikt të hapur, por pikërisht kjo maturi po e bën luftën më të mundshme. Pa pasoja reale, Kremlini rrit tolerancën ndaj rrezikut.

Nëse sot një dron rus mbyll një aeroport pa u ndëshkuar, nesër mund të rrëzojë një avion pasagjerësh “aksidentalisht”. Statistikat janë të qarta: gjatë viteve 2024-2025, incidentet e luftës në hije janë 3-fishuar. Pa një mekanizëm të fortë pengimi, llogaritjet e gabuara të Moskës janë vetëm çështje kohe.

Një strategji e re: përshkallëzimi për të shtensionuar

NATO duhet të ndryshojë qasjen. Politika e reagimit legalist ka dështuar. Për ta ndalur Moskën, ajo duhet të ndiejë se kostoja e luftës në hije, është më e lartë sesa çdo lloj përfitimi. Dhe kjo kërkon një “përshkallëzim të kontrolluar”.

Së pari, aktivizimi i Nenit 4 të NATO-s duhet të bëhet normë për çdo akt sabotazhi. Konsultimet e aleancës nuk mund të mbeten ngjarje të rralla; ato duhet të jenë reagim automatik. Kur një kabllo nëndetare këputet nga një anije ruse, NATO duhet të mblidhet menjëherë për të koordinuar kundërpërgjigjen, dhe jo thjesht për të shprehur “shqetësimin e thellë”.

Së dyti, menuja e kundërpërgjigjeve duhet të jetë e ashpër dhe e parashikueshme: operacione kibernetike kundër serverëve të GRU apo FSB, ndërhyrje detare për ndalimin e anijeve ruse që dyshohen për spiunazh, dhe kur rrezikohen jetë njerëzish goditje kinetike të përmasave të kontrolluara ndaj aseteve ruse.

Sfidat politike dhe roli i SHBA-së

Kjo kthesë strategjike është edhe më urgjente përballë paqartësive politike në Uashington. Një tërheqje e mundshme e administratës Trump nga nismat evropiane kundër kërcënimeve hibride, do ta linte kontinentin të pambrojtur.

Evropa nuk mund të presë më që çdo problem sigurie ta zgjidhë Amerika. Shtetet evropiane, brenda NATO-s dhe BE-së, duhet të marrin mbi vete barrën e mbrojtjes së infrastrukturës së tyre.

Ndarja e inteligjencës duhet të bëhet pa vonesë, dhe reagimin duhet të udhëheqin aparatet e sigurisë ushtritë dhe shërbimet sekrete dhe jo organet e rendit publik. Lufta në hije nuk është thjesht problem policor; ajo është një sfidë ushtarake ndaj sovranitetit të kombeve tona.

Në fund të fundit, suksesi i Evropës kundrejt Rusisë nuk do të matet me forcën e deklaratave tona në Tëitter apo në samite diplomatike. Ai do të matet me aftësinë për të parandaluar sulmin e radhës.

Moska duhet ta kuptojë se “hija” ku operon nuk është më një zonë e sigurt. Çdo veprim agresiv duhet të përballet me një kundërpërgjigje që trondit themelet e vetë regjimit. Vetëm kur Putin të ketë më shumë frikë nga pasojat sesa dëshirë për të sulmuar, do të marrë fund lufta në hije. Koha e kritikave të lehta ka mbaruar; ka ardhur koha e mbrojtjes aktive.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit