Arlinda Zekaj është vrarë në mënyrë mizore në shtëpinë e saj.
Ish-kunati i saj, Albert Sylaj është në paraburgim, pasi dyshohet se e vrau Zekajn me sëpatë, duke e goditur në disa pjesë të trupit dhe duke i shkaktuar vdekjen në vendin e ngjarjes, në dhomën e saj të gjumit. Dëshmitarë të kësaj ngjarjeje të tmerrshme ishin djali 12-vjeçar i të ndjerës, fëmijët e mitur të dorasit të dyshuar, si dhe nëna e tij.
Shtëpia ku ndodhi krimi ishte e Arlindës dhe e ish-bashkëshortit të saj, Jetonit, i cili po ashtu gjendet në paraburgim.
Arlinda nuk donte që familjarët e ish-bashkëshortit të qëndronin në shtëpinë të cilën ajo e kishte ndërtuar. Arsyeja ishte shumë e fuqishme: kishte frikë se do ta vrisnin. Ashtu siç edhe ndodhi.
Në polici, para vrasjes ajo kishte deklaruar:
“Në shtëpi janë njerëz që nuk kanë vendim gjykate me jetu në atë shtëpi. Po ashtu, asnjëherë më parë nuk kanë jetuar këtu por vetëm nga marrja e aktvendimit për urdhër-mbrojtje.
Unë jam bashkëpronare, këta ma kanë uzurpuar shtëpinë, nuk munden me bashkëjetu me mua e as nuk munden me qenë mysafirë. Po më kërcënojnë, nuk po më lajnë me marr as bukë as ujë, as televizor me shiku, plus me jetë po më kërcënojnë, edhe rryma u ndal e panë edhe policia që nuk ka rrymë, se e ndalen rrymën.
Djalin nuk e ka lanë Jetoni këtu, në shtëpi dhe në prezencën e policisë ka bërtit, ka sha, edhe ju policia nuk e keni arrestuar. Policia e ka pa kur nuk e ka lënë djalin me hy brenda dhe kur refuzojke me hy brenda, prandaj nuk është çudi asgje që familjarët e tij po bëjnë brenda kundër meje.
Kërkoj që këta me ma liru shtëpinë deri në përfundimin e çështjes ngase unë jam bashkëpronare dhe dua të kthehem sipas vendimit në shtëpi. Po ndihem e rrezikuar për jetë, pas ndaljes së rrymës, kanosjes së plakes aty, edhe të miturës, nuk dua të bi në nivelin e tyre për fyerje e fjalët që vazhdimisht i përdorën për kaq orë”, ishte deklarimi i Zekajt në Polici.
Pra, Arlinda nuk donte të jetonte në të njejten shtëpi me njerëzit që e kishin kërcënuar, ofenduar e maltretuar. E, Policia e Kosovës kur njoftoi për vrasjen e saj (disa orë pasi kishte ndodhur krimi) shkroi se para vrasjes “Viktima, me vullnetin e saj, është dërguar në shtëpinë e saj në fshatin Vitomiricë”.

Shtrohet pyetja: si është e mundur që një person të shkojë me vullnet të lirë për të jetuar në një shtëpi të mbushur me persona që e maltretonin atë vazhdimisht? A kemi të bëjmë me një tendencë nga ana e policisë për manipulim të faktit se kanë dështuar ta mbrojnë jetën e Arlindës?








