Procesi i numërimit të votave në Mitrovicën e Jugut është bllokuar pas konfirmimit të problemeve serioze me fletëvotimet e përdorura në balotazhin e së dielës.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, bëhet fjalë për një gabim teknik në shtypjen e fletëvotimeve, por ky rast është interpretuar nga shumëkush si dyshim për manipulim të votave në këtë komunë.
Në garë për të parin e Mitrovicës së Jugut janë, Faton Peci nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Arian Tahiri nga Partia Demokratike e Kosovës.
Pas skandalit me votat në Mitrovicë, në opinion është rikthyer një detaj i rëndë nga e kaluara politike e Faton Pecit, ai kishte mbajtur në kabinetin e tij një person të dënuar për falsifikim të rezultateve të votimit.
Gazetari Parim Olluri ka reaguar për këtë rast duke kujtuar se “vjedhja e votave është bërë normale në Vetëvendosje”.
“Faton Peci me vite e ka mbajtur për këshilltar një hajn të votave. Edhe pse ky në gjyq e pranonte fajësinë, Peci nuk e shkarkonte. Mbledhte informacione ‘përtej gjykatës’. Paramendojeni! Kur është puna për me mbrojtë vjedhjen e votave, këta nuk i besojnë as gjykatave e as kurrkujt”, ka shkruar Olluri në Facebook.









