spot_img
spot_img
Monday, December 29, 2025
spot_img
spot_img

Si dhe pse i fitoi zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit Albin Kurti dhe LVV?

Shkruan: Nehat Hyseni

1. Zgjedhjet si ri-testim i kredibilitetit politik

Zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit 2025 ishin rast i duhur për ri-testimin e votës popullore dhe kredibilitetit të spektrit politik të Republikës së Kosovës, duke e ri-konfirmuar Albin Kurtin si fitues me rezultat absolut, me mbi 50%. Kjo i mjafton LVV-së për të qeverisur vendin si parti e vetme, pa pasur nevojë për koalicione.

2. Fitoi populizmi, karizma politike dhe “mitologjizimi” i liderit

Ky rezultat aq i lartë, mbase edhe më i lartë se ai i 14 shkurtit 2021, është mbështetje e qartë për politikën populiste dhe mjeshtërinë brilante të Albin Kurtit për mobilizim e manipulim me shpresat e shtresave të ulëta e të mesme popullore për një jetë më të mirë, duke e “hyjnizuar” figurën e tij pothuajse me dimensione idealiste e bestytnore.

3. Kombinimi i nacional-populizmit me premtime joshëse sociale

Fitoi, pra, populizmi nacionalist me premtime sociale joshëse të maestros Albin Kurti, meqë LVV shquhet si parti që kombinon elemente të nacional-populizmit, kërkesë të fortë për sovranitet shtetëror (sidomos ndaj Serbisë) dhe premtime për politika sociale si rritje pagash, mbështetje për familjet dhe pensionistët, etj. Ky kombinim ka tërhequr një elektorat të gjerë – votues të majtë ekonomikisht, të rinj të zhgënjyer me partitë tradicionale dhe elektorat “patriotik” që kërkon “qeveri të fortë”!

4. Dobësia e opozitës dhe mungesa e alternativës

PDK me liderin e ri Bedri Hamzën, një burokrat i shkëlqyer, por si politikan mbetet për t’u testuar, dhe LDK me Lumir Abdixhikun, liderin humbës të papërmirësueshëm, mbetën partitë kryesore opozitare me profil qendër-djathtas kombëtar dhe qendër të moderuar.
Elektorati i tyre i fragmentuar, edhe kësaj radhe nuk ishte në gjendje të sfidojë dominimin e LVV-së dhe kryetarit të saj karizmatik e populist, me aftësi të dukshme për manipulim dhe ndikim mbi masat dhe veçanërisht mbi mërgatën.

5. Dominimi personalist dhe zhvendosja ideologjike

Këto zgjedhje realisht ishin konfirmim i një dominimi personalist të figurës politike të Albin Kurtit dhe i një zhvendosjeje ideologjike drejt një sovranizmi nacional e social: për më shumë siguri ndaj Serbisë, për një shtet “më efektiv” dhe për politika sociale që adresojnë emigrimin dhe varfërinë – fusha ku partitë tradicionale perceptohen si të ngathëta dhe jopremtuese. PDK me liderin e ri, sa duket, e uli rezultatin për një mandat deputeti, kurse LDK është humbësja më e madhe, nga 20 deputetë, kësaj radhe i fitoi pesë më pak, dmth gjithsej 15, kurse Nisma nuk e kaloi pragun zgjedhor.

6. Narrativa elektorale: “stabilitet kundër kaosit”

Opozita edhe kësaj radhe mbeti pa një vizion të qartë e bindës dhe e fragmentuar. Kjo i dha LVV-së avantazhin për t’i paraqitur zgjedhjet si betejë mes “stabilitetit” (LVV) dhe “kaosit” (PDK, LDK dhe AAK).

7. Qeverisje më e qëndrueshme,
por me rreziqe!

Fitorja bindëse e LVV-së pritet t’i japë vendit një qeverisje më të qëndrueshme pas bllokimit institucional që e mbajti vendin pa buxhet dhe pa ligje kyçe për muaj të tërë.
Megjithatë, dominimi i një partie të vetme paraqet sfida serioze: reduktim të pluralizmit politik, tensione me opozitën dhe shqetësime mbi ekuilibrin e pushteteve. Analistët me të drejtë flasin për një “tërmet politik” që po ndryshon peizazhin politik.

8. Marrëdhëniet me Perëndimin dhe dialogu me Serbinë

LVV perceptohet nga një shtresë e popullsisë dhe mërgatës kosovare si një “linjë e fortë” ndaj Serbisë, që shpesh ka tensionuar marrëdhëniet me BE-në dhe SHBA-të.
Qeverisja e re do të duhet të menaxhojë rivendosjen e bashkëpunimit me partnerët perëndimorë, përmbushjen e kushteve për fonde dhe dinamizimin e dialogut Kosovë–Serbi.

9. Çfarë tregoi vota e 28 dhjetorit?

Zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025 treguan një elektorat që dëshiron stabilitet institucional, zgjidhje konkrete sociale e politike dhe një qeverisje të fuqishme – duke e favorizuar LVV-në e Albin Kurtit mbi partitë tradicionale. Ky rezultat i jep mandat të fuqishëm qeverisjes, por njëkohësisht sjell sfida për pluralizmin, raportet me Perëndimin dhe qasjen ndaj komuniteteve jo-shqiptare.

10. Përfundim

Fitorja e zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit 2025 i takoi aftësisë pragmatike të vargëzimit të rimuar poetik të shpresës së munguar të shtresave popullore dhe të rinjëve që po e braktisin masovikisht këtë vend të bekuar dhe të varfëruar skajshmërisht, nga realiteti i hidhur dhe joshja nga ëndërrimet e ëmbla që edhe kësaj radhe u shndërrua në votë, duke siguruar vazhdimësinë e zymtësisë dhe të skëterrës ballkanike.
Në tërësi, këto zgjedhje shënojnë një përforcim të “nacionalizmit të moderuar”, me elemente sociale e premtime “pragmatike”, si komponent joshëse të votës popullore kosovare në këtë fundvit.

Preshevë, më 29 dhjetor 2025

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit