Gazeta njoftoi pak më parë se shumë fshatra të Komunës së Lipjanit janë pa energji elektrike në natën e ndërrimit të moteve.
Për këtë, ka njoftuar edhe vetë kryetari i kësaj komune, Imri Ahmeti, i cili e quajti këtë gjendje një ‘tmerr’.
Ai po ashtu shtoi se energjia elektrike është më elementarja për shënimin e ndërrimit të moteve, gjë e pa pranueshme në këtë shekull.
“Në natën e ndërrimit të moteve, kur familjet mblidhen për të pritur Vitin e Ri, shumë fshatra të komunës sonë u gjetën në terr. Në një moment që duhet të simbolizonte shpresë dhe dritë, na u mohua edhe ajo më elementarja – furnizimi me energji elektrike.
Është e papranueshme që në këtë shekull, të mos jemi në gjendje të planifikojmë dhe të sigurojmë një furnizim të qëndrueshëm për qytetarët tanë. Përgjegjësia për këtë situatë është e qartë: qeveria dhe ministria përkatëse kanë dështuar të menaxhojnë si duhet këtë çështje kaq thelbësore.
Kjo është një pasqyrë e qartë e mungesës së planifikimit, përkushtimit dhe përgjegjshmërisë ndaj nevojave bazë të qytetarëve. Kjo situatë nuk është thjesht një sfidë – është një dështim që nuk mund të tolerohet më.
Së bashku, duhet të kërkojmë llogaridhënie dhe veprime konkrete për të mos lejuar përsëritjen e kësaj papërgjegjshmërie.
Tmerr!”, shkroi Ahmeti.








