Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në lagjen “Lakrishtë” të Prishtinës, ku një vajzë ka humbur jetën pasi ka rënë nga lartësia e një objekti. Viktima ka vdekur në vendin e ngjarjes, pas rënies tragjike nga kati i shtatë i një banese.
Gazeta ka siguruar pamjet nga momenti kur e reja ka rënë nga ndërtesa, në të cilat shihet se 26-vjeçarja ka rënë qëllimisht.
Mirëpo, për shkak të ndjeshmërisë së rastit dhe pamjeve tepër të rënda, të cilat mund t’I shqetësojnë familjarët e viktimës e po ashtu lexuesit, Gazeta ka vendosur që të mos e publikojë videon në të cilën shihet momenti në të cilin e reja bie nga ndërtesa.
Vdekjen e viktimës e kanë konstatuar ekipet mjekësore në vendin e ngjarjes.
Ndërkaq, në vendin e ngjarjes dolën edhe njësitet policore, të cilët e rrethuan me shirita lokacionin ku ka ndodhur rasti.
Autoritetet kompetente janë duke vazhduar hetimet në lidhje me zbardhjen e detajeve tjera të këtij rasti të rëndë.






