Kryeministri Edi Rama në një intervistë për dokumentarin mbi bektashizmin të gazetarit britanik Robert Hackman, ka konfirmuar se mikroshteti bektashi që ai shpalli në Kombet e Bashkuara do të ngrihet në territorin ku ndodhet aktualisht Kryegjyshata Botërore Bektashiane, në Tiranë.
“Është vetëm një sipërfaqe e vogël toke, pak hektarë, që ata tashmë e zotërojnë dhe ku kanë qendrën e tyre. Por për Shqipërinë është një pjesë shumë e çmuar e trashëgimisë kombëtare, ndërsa për komunitetin është një garanci që ai do të vazhdojë të ekzistojë pa u zhdukur,” – u shpreh Rama.
Rama shpjegon se kjo nismë nuk është thjesht simbolike, por një mënyrë për të mbrojtur dhe ruajtur një nga thesaret më të çmuara shpirtërore të Shqipërisë.
🔊
“Bektashizmi është një urdhër shumë i veçantë dhe një thesar kombëtar për ne. Ndryshe nga komunitetet e tjera fetare, bektashinjtë nuk kanë përkrahje ndërkombëtare dhe janë të vetmuar në përpjekjen për të mbijetuar. Duke u dhënë një status të veçantë, i japim një garanci ekzistence.”. tha Rama.
Baba Mondi, kreu shpirtëror i këtij urdhri sufist, ka përshëndetur nismën, duke theksuar se krijimi i një vendi të tyre është një akt njohjeje dhe ruajtjeje:
“Ne jemi për paqe, dashuri dhe bashkëjetesë. Shqipëria është shtëpia jonë dhe ky vend, Kryegjyshata, është tempulli ynë.”






