Gjatë ditës së djeshme, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, ka publikuar formularët e deklarimit të pasurisë së zyrtarëve shtetërorë.
Në formularët në fjalë janë paraqitur të dhëna për të ardhurat, kursimet, pronat dhe obligimet financiare të krerëve të shtetit dhe liderëve të partive kryesore.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se gjatë një viti ka arkëtuar 21 mijë e 315 euro nga paga si kryeministër, ndërsa bashkëshortja e tij ka pasur të ardhura vjetore prej 51 mijë eurosh.



Bashkëshortja e tij ka deklaruar 19 mijë e 500 euro në bankë, që burojnë nga paga dhe trashëgimia familjare, si dhe 2 mijë euro kursime të vajzës. Pasuria kryesore e familjes figuron banesa në pronësi të bashkëshortes, me vlerë 530 mijë euro dhe sipërfaqe 67 metra katrorë.
Ushtruesja e detyrës së presidentes dhe kryeparlamentarja Albulena Haxhiu ka deklaruar se gjatë vitit 2026 ka blerë një banesë në vlerë 128 mijë e 740 euro, e cila është në bashkëpronësi me bashkëshortin.
Banesa ka sipërfaqe prej 128.74 metrash katrorë dhe është blerë me kredi. Haxhiu ka deklaruar obligime bankare në vlerë prej 160 mijë eurosh.
Po ashtu, ajo ka deklaruar se bashkëshorti i saj posedon një banesë 82 metra katrorë në vlerë 60 mijë euro dhe një tokë prej 6 aresh në vlerë 15 mijë euro. Të ardhurat vjetore të saj janë mbi 24 mijë euro, ndërsa në para të gatshme ka 1 mijë e 531 euro.
Ish-presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar pagë vjetore mbi 33 mijë euro dhe mbi 10 mijë e 300 euro të ardhura nga mëditjet. Në pronësi të saj figuron një tokë prej 5.10 arësh në vlerë 35 mijë euro. Në bashkëpronësi ajo ka një shtëpi banimi prej 244 metrash katrorë në vlerë 208 mijë euro.
Në emër të bashkëshortit të saj janë deklaruar një banesë me vlerë 59 mijë euro, si dhe dy shtëpi në Australi, njëra në vlerë 170 mijë euro dhe tjetra 510 mijë euro. Osmani ka deklaruar gjithashtu 3 mijë e 115 euro para të gatshme.
Deklarime të pasurisë kanë bërë edhe liderët e partive kryesore, duke zbuluar shifra dhe prona të konsiderueshme në pronësi të tyre dhe familjarëve.
Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka deklaruar 19 mijë e 700 euro të ardhura vjetore personale. Ai ka raportuar gjithashtu dy banesa dhe tri garazhe në pronësi të tij, si dhe një banesë në emër të bashkëshortes. Në llogari bankare ka mbi 10 mijë e 700 euro.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar një shtëpi në vlerë 150 mijë euro të trashëguar, si dhe një shtëpi dhe një banesë në pronësi të përbashkët, me vlera 200 mijë dhe 265 mijë euro. Ai ka deklaruar edhe dy shtëpi në emër të bashkëshortes, të përfituara në vitin 2025.
Të ardhurat e tij vjetore përfshijnë 16 mijë e 889 euro nga paga si deputet dhe 24 mijë euro nga kolegji “Riinvest”.

Ndërsa lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se ai dhe familja e ngushtë posedojnë pasuri në vlerë totale afro 2 milionë euro.










