Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka autorizuar Zyrën Ligjore që t’u drejtohet organeve kompetente për të verifikuar raportimet lidhur me ndalimin e drejtorit të Spitalit të Mitrovicës, Gëzim Berisha, nën dyshimin për dhunë në familje.
Në një njoftim për media, SHSKUK-ja i ka cilësuar këto raportime si jashtëzakonisht shqetësuese, duke theksuar se dhuna në çfarëdo forme është e dënueshme dhe nuk tolerohet në asnjë rrethanë.
“Drejtoria e Përgjithshme e SHSKUK-së ka autorizuar menjëherë Zyrën Ligjore që t’u drejtohet zyrtarisht organeve kompetente për të verifikuar urgjentisht këto pretendime”, thuhet në njoftim.
SHSKUK-ja ka bërë të ditur se, pas pranimit të informacioneve zyrtare nga organet kompetente, do të ndërmarrë masat më të rrepta administrative dhe ligjore ndaj drejtorit në fjalë.








