Tekwondistja shqiptare nga Mali i Zi, Andrea Berishaj është njëra prej tri sportisteve më të mira të reja në Evropë dhe për herë të parë i sjell Malit të Zi çmimin prestigjioz “Piotr Nurowski”, i cili ndahet nga Komitetet Olimpike Evropiane (EOK).
“Sportistët më të mirë u zgjodhën nga përfaqësuesit e komiteteve olimpike kombëtare gjatë Kuvendit të 55-të të Përgjithshëm të EOK-ut në Budapest.
Berishaj u gjend mes gjashtë finalistëve nga e gjithë Evropa, së bashku me përfaqësues nga Rumania, Britania e Madhe, Bullgaria, Estonia dhe Sllovenia”, ka shkruar media malazeze “Vijesti”.
“Ky vlerësim përfaqëson një nga sukseset më të rëndësishme të sportit malazez në skenën ndërkombëtare dhe konfirmim të cilësisë së punës me sportistët e rinj në Mal të Zi. Në konkurrencën e 21 kandidatëve nga komitetet olimpike kombëtare evropiane, Andrea kaloi rrugën nga përzgjedhja e ngushtë deri te vetë titulli.
Fituesit e deritanishëm të çmimit kanë fituar gjithsej 42 medalje olimpike dhe 151 medalje në kampionatet botërore, gjë që tregon rëndësinë e këtij vlerësimi në lëvizjen olimpike evropiane”, thuhet në njoftim.
Në Kuvend, në emër të Komitetit Olimpik të Malit të Zi, morën pjesë presidenti Dushan Simonoviq dhe zëvendëssekretarja e përgjithshme Maja Pekoviq.
“Andrea me punën, këmbënguljen dhe karakterin e saj ka treguar se çfarë do të thotë të jesh një sportiste e re malazeze që ka dijen dhe forcën për skenat më të mëdha sportive.
Ky vlerësim është gjithashtu dëshmi se Mali i Zi po e ndërton rrugën e tij në sportin evropian me dije, përkushtim dhe masë”, tha Simonoviq.
Ai theksoi se janë krenarë për Berishajn, jo vetëm për çmimin që fitoi, por edhe për mënyrën se si përfaqëson Malin e Zi dhe sportin malazez.
“Ajo sot është frymëzim për çdo vajzë dhe çdo djalë në Mal të Zi që ëndërrojnë ëndrra të mëdha, dhe jam i sigurt se para saj është një karrierë dhe medalje sportive për të cilat do të gëzohemi edhe më shumë”, theksoi Simonoviq.
Berishaj tha se ky është një nder i madh, jo vetëm për të, por për të gjithë ata që kanë qenë pranë saj në këtë rrugëtim.
“Ky çmim vjen disa muaj pasi u shpalla sportistja më e mirë e Malit të Zi për vitin 2025 dhe jam krenare që puna ime e madhe dhe sakrifica janë vlerësuar.
Ky çmim nuk është vetëm imi. Ai i përket njësoj trajnerit tim, familjes sime, klubit tim dhe të gjithëve që besuan tek unë edhe kur ishte e vështirë”, tha Berishaj.
Ajo theksoi se ky vlerësim është motivim i madh për të, por edhe për të gjitha vajzat e klubit dhe përfaqësueses malazeze, që të vazhdojnë të stërviten edhe më fort dhe më me përkushtim.
“Ky çmim vjen në periudhën e përgatitjeve dhe në rrugën drejt Lojërave Olimpike në Los Anxhelos 2028 dhe nuk mund ta imagjinoja një shtysë më të mirë”, tha Berishaj.
Sipas trajnerit të saj, Vlado Stanishiq, Berishaj është një sportiste që rrallëherë haset – e talentuar, por mbi të gjitha punëtore dhe këmbëngulëse.
“Pas këtij vlerësimi qëndrojnë vite të tëra pune të përditshme, sakrifice dhe besimi në qëllimin e caktuar.
Më së shumti më gëzon fakti që ajo mbetet një vajzë e re modeste dhe e përqendruar, pavarësisht gjithçkaje që ka arritur.
Ky është vetëm konfirmim se ajo është në rrugën e duhur, ndërsa më e mira ende nuk ka ardhur”, tha Stanishiq.
Berishaj në periudhën e fundit ka konfirmuar statusin e saj si njëra prej tekvondisteve më premtuese në Evropë.Këtë vit, në maj, ajo fitoi medaljen e bronztë në Kampionatin Evropian për seniorë në Munih.
Gjatë vitit 2025 fitoi tri medalje të bronzta në gara të mëdha ndërkombëtare: në Kampionatin Evropian për seniorë në kategoritë olimpike në Aigle të Zvicrës, në Kampionatin Botëror U21 në Kenia dhe në Kampionatin Evropian U21 në Prishtinë, të gjitha në kategorinë deri në 67 kilogramë.
Bazuar në këto rezultate, Komiteti Olimpik i Malit të Zi e shpalli sportisten më të mirë të Malit të Zi për vitin 2025.
Çmimi “Piotr Nurowski”, i emëruar sipas ish-presidentit të Komitetit Olimpik të Polonisë dhe veprimtarit të njohur sportiv, është themeluar në vitin 2011 dhe u ndahet sportistëve të rinj më premtues të Evropës.
Qëllimi i çmimit është të vlerësojë sportistët e rinj që, përveç rezultateve, dallohen edhe për karakterin, përkushtimin, sjelljen sportive dhe vlerat që përfaqësojnë lëvizjen olimpike.
Kuvendi dyditor në Budapest mblodhi përfaqësuesit e komiteteve olimpike kombëtare evropiane rreth temave kyçe të lëvizjes olimpike, mes të cilave përgatitjet për Lojërat e Katërta Evropiane në Stamboll 2027, një vështrim mbi Lojërat Olimpike Dimërore Milano-Cortina 2026, si dhe raportet e komisioneve të EOK-ut dhe partnerëve nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar dhe ANOK.
Gjatë Kuvendit, Bordi Ekzekutiv i EOK-ut mbështeti kandidaturën e Spiros Kapralos për president të Asociacionit të Komiteteve Olimpike Kombëtare (ANOK).
Zgjedhjet do të mbahen në Kuvendin e Përgjithshëm të ANOK-ut në dhjetor në Hong Kong.










