Shkruan: Nehat Shaqiri
Shqiptar Shaljani nuk dha përgjigje në pyetjet që ia drejtova gjatë debatit. Pas përballjes, në vend që të përgjigjej, zgjodhi të largohej dhe më pas edhe të më bllokonte në Facebook.
Por kjo nuk përfundon këtu.
Tash e një javë, Shqiptar Shaljani dhe persona nga rrethi i tij kanë nisur një fushatë ndaj meje, me shkrime në rrjete sociale dhe opinione të publikuara në portalin e tyre, “Drini”.
Unë nuk kam problem me debatet dhe as me kritikat. Përkundrazi, debati publik është i domosdoshëm. Por kur dikush nuk përgjigjet në pyetjet që i drejtohen dhe më pas zgjedh të të sulmojë përmes shkrimeve e opinioneve, atëherë lindin pyetje të tjera.
A janë këto lëvizje duke e përçarë shoqërinë shqiptare? Kush vendos se kush është “shqiptar i mirë” e kush është “taliban” vetëm pse nuk mendon njësoj?
Ajo që duhet të shtrohet publikisht është edhe një pyetje tjetër: nga financohen këto lëvizje, kush qëndron prapa tyre dhe cili është qëllimi i tyre në Kosovë?
Këto nuk janë akuza që duhet të mbeten vetëm në rrjetet sociale. Nëse ekzistojnë dyshime për financime, organizime apo agjenda të caktuara, atëherë ato duhet të hetohen dhe të zbardhen nga institucionet kompetente.
Kush janë këta njerëz që duan t’u tregojnë të tjerëve se cilës fe duhet t’i përkasin? Kush ua jep të drejtën të ndajnë shqiptarët në grupe, duke përdorur etiketime të tilla si “nëse nuk je me ne, je taliban”?
Para se këto përçarje të bëheshin kaq të pranishme në debatin publik, shqiptarët në Kosovë kanë jetuar bashkë, pavarësisht përkatësisë së tyre fetare. Myslimanë, katolikë dhe besimtarë të përkatësive të ndryshme kanë qenë pjesë e së njëjtës shoqëri dhe të njëjtit komb.
Ajo që më shqetëson është se si është e mundur që institucionet kompetente nuk i kanë dhënë përgjigje pyetjeve që po ngrihen publikisht.
Nëse ka lëvizje që financohen nga burime të dyshimta, nëse ekzistojnë agjenda të caktuara dhe nëse dikush synon përçarjen e shoqërisë, atëherë le të hetohet dhe të zbardhet gjithçka.
Jo për t’i sulmuar njerëzit për bindjet e tyre fetare, por për të ditur kush qëndron pas organizimeve, kush i financon, cilat janë qëllimet e tyre dhe në interes të kujt veprojnë.
Sepse pyetjet që nuk marrin përgjigje, vetëm sa shtohen.








