Bashkëshortja e Rexhep Selimit, Shqipe Selimi, njëherësh edhe deputete e Lëvizjes Vetëvendosje, ka folur në nderim të Epopesë së UÇK’së në seancën solemnë në Kuvendin e Kosovës.
Selimi lavdëroi sakrificën e Jasharëve dhe tha se është shembull për kombin dhe të gjithë njerëzimin.
“Me luftën nëpër breza, e sidomos me luftën e fundit, Prekazi dhe Jasharët i dhanë leksion botës se sa e shtrenjtë është liria dhe sa e madhe është sakrifica për të. Familja Jashari është shembull për kombin dhe gjithë njerëzimit“, ka thënë ajo.
Pos tjerash, Selimi pati edhe kritika për Gjykatën Speciale. Tha se kundërpërgjigja ndaj tyre është “ne të gjithë jemi UÇK, ne të gjithë jemi Jasharë”.
“Përveçse të përkujtohet e të nderohet, ka nevojë edhe të mbrohet si vlerë. Ka nevojë të mbrohet sidomos atëherë kur sulmohet pastërtia e saj. Kur sulmohet lufta e drejtë dhe kur sulmohen rrënjët e saj. Lufta jonë e drejtë duhet të mbrohet edhe kur tentohet të rishkruhet historia jonë e lavdishme. Kushdo që tenton ta rishkruajë historinë e UÇK-së dhe Adem Jasharit, qoftë duke e trajtuar nëpër salla gjyqi, përgjigja jonë e përbashkët është se, ne të gjithë jemi UÇK, ne të gjithë jemi Jasharë“, deklaroi Selimi.









