spot_img
spot_img
Monday, February 9, 2026
spot_img
spot_img

Shprehje mllefi e jo kërcenim- si e arsyeton Gjykata hudhjen e akuzës për rastin ku Kurti paraqitej si viktimë

Gjykata Themelore në Prishtinë ka hedhur poshtë aktakuzën ndaj Faton Klinakut për veprën penale “kanosja” ndaj Kryeministrit Albin Kurti, duke vlerësuar se fjalët e përdorura nga ai nuk përbënin kanosje reale. Sipas gjykatës, shprehjet e Klinakut ishin thjesht tregues të pakënaqësisë dhe vendosmërisë së tij për të qëndruar në vend dhe shprehje të mendimit të tij për situatën në Kosovë, pa pasur qëllim të frikësonte ose të dëmtonte Kryeministrin.


Aktvendimi i siguruar nga “Betimi për Drejtësi” është nxjerrë më 20 nëntor 2025 nga kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Rahman Beqiri, pas shqyrtimit të kundërshtimit të provave dhe kërkesës për hedhjen e aktakuzës, të paraqitur nga mbrojtësi i Klinakut, avokati Ramë Dreshaj.

Klinaku ishte akuzuar se më 29 dhe 30 gusht 2023, përmes postimeve në rrjetin social Facebook, kishte përdorur shprehje të rënda në drejtim të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të cilat Prokuroria Speciale i kishte cilësuar si kanosje serioze ndaj një personi zyrtar në lidhje me detyrën e tij. Klinaku kishte shkruar media sociale më 29 gusht 2023 se: “më parë e vras Albin Kurtin sesa që ia lëshoj rrugën e iku nga Kosova”.


Gjykata konstatoi se faktet nuk ishin të kontestuara, pasi vetë i akuzuari e kishte pranuar se i kishte publikuar shprehjet në fjalë. Megjithatë, çështja thelbësore, sipas trupit gjykues, ishte nëse këto shprehje i plotësonin elementet ligjore të veprës penale të kanosjes, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me pjesën e postimit ku thuhet “… votën ia dhashë për ndryshim… po shkojmë edhe më shumë teposhtë si vend… s’ka mbetur tjetër gjë pos me ikë jashtë…” sipas gjykatës është shprehje e pakënaqësisë nga ana e Klinakut për gjendjen siç ai po e percepton në përgjithësi për vendin.

Sipas vendimit, Gjykata s’ka autorizime që të bëjë vlerësimin e qëndrueshmërisë së këtyre fjalëve por nuk përbëjnë elemente të veprës penale.


Ndërsa, pjesa e fundit ku thuhet “I thashë: As se kam votu, as ndryshim për të mirë kurrsesi që nuk kam pritur nga ai, e sa i përket daljes jashtë, më parë e vras Albin Kurtin se sa që ia lëshoj rrugën e iku nga Kosova…” për Gjykatën s’i plotëson elementet për t’u konsideruar kanosje.

Megjithatë, sipas vlerësimeve të gjykatës, është evidentuar se fjala “vrasje” në çfarë do konteksti që përdoret krijon ndjenjë negative por nuk mjafton për të përmbushur elemente të veprës penale të kanosjes.


Në arsyetimin e saj, Gjykata thekson se, ndonëse gjuha e përdorur është e papërshtatshme, ajo nuk përbën kërcënim penal të dënueshëm. Sipas aktvendimit, “këto fjalë të përdorura nga i akuzuari, nuk i përmbushin elementet për t’u konsideruar vepër penale e kanosjes”.

Gjykata vlerëson se shprehjet nuk ishin të drejtuara drejtpërdrejt ndaj të dëmtuarit, nuk përmbanin kërkesa konkrete dhe nuk përcaktonin pasoja të qarta që do të realizoheshin në rast të mosveprimit. Në këtë drejtim, trupi gjykues thekson se për ekzistimin e kanosjes, kërcënimi duhet të jetë serioz, i drejtpërdrejtë dhe i tillë që objektivisht të krijojë frikë te personi të cilit i drejtohet.


“Në rastin konkret, i akuzuari përmes këtyre fjalëve shpreh një mendim të tij, që më tepër mund të merret si vendosmëri e tij për të qëndruar në Kosovë, por assesi nuk mund të merret si kërcënim direkt e as si thirrje për vrasje”, thuhet në aktvendim.

Gjykata shton se i akuzuari dhe i dëmtuari nuk kishin asnjë raport personal, nuk kishin pasur konflikt paraprak dhe se përmes postimeve nuk ishte kërkuar asnjë veprim apo mosveprim konkret nga ana e kryeministrit.

Si rezultat, Gjykata vendosi që, në bazë të nenit 248 të Kodit të Procedurës Penale, aktakuza ndaj Faton Klinakut të hidhet dhe procedura penale ndaj tij të pushohet, pasi “vepra me të cilën akuzohet nuk përbën vepër penale”.

Shpenzimet e procedurës që lidhen me këtë pjesë të aktakuzës do të mbulohen nga buxheti i gjykatës, ndërsa pala e dëmtuar nuk ka paraqitur kërkesë pasurore-juridike.

Procedura penale do të vazhdojë vetëm ndaj të akuzuarit tjetër, Nuredin Selmani, pasi ai dhe mbrojtësi i tij nuk paraqitën kërkesë për hedhje të aktakuzës. Selmani akuzohet për kanosje të kryeministrit përmes postimeve dhe deklaratave të bëra publikisht dhe gjatë një emisioni televiziv, ku kishte thënë: “Unë konsideroj që çdo njëri i cili bën të këqija siç bën Albin Kurti, edhe po të isha unë në vendin e tij, duhet të vritet patjetër, sepse ajo është tradhti ndaj atdheut.”

Palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës brenda afatit ligjor prej 10 ditësh.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 1 gusht 2025 kishte ngritur aktakuzë ndaj Faton Klinakut dhe Nuredin Selmanit, të cilët akuzohen për kanosje të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, Faton Klinaku akuzohet se më 29 gusht 2023, e kishte kanosur publikisht Kurtin përmes rrjetit social Facebook, duke postuar shkrime kërcënuese.

Ndërsa, pas reagimeve të opinionit publik lidhur me këtë kërcënim, në aktakuzë thuhet se i pandehuri Klinaku më 30 gusht 2023 ka përsëritur një shkrim po ashtu me përmbajtje të njëjtë kërcënuese ndaj tani të dëmtuarit Kurti.

“Prapë po e përsëris, nëse ju duket skandaloz postimi i mëhershëm: Më parë e vras Albin Kurtin sesa ia lëshoj rrugën e iku nga Kosova”, citohet në aktakuzë të ketë shkruar Klinaku.

Ndërkaq, në pikën dy të aktakuzës, Nuredin Selmani akuzohet se më 30 gusht 2023, e ka kanosur publikisht Kurtin në rrjetin social Facebook, duke iu referuar postimit kërcënues të bërë nga i pandehuri Faton Klinaku.

Selmani ngarkohet se kishte postuar një fotografi në të cilën ishte montuar fotoja e të dëmtuarit Kurti, krahas asaj të Klinakut, duke e shoqëruar me një shkrim kërcënues të adresuar ndaj të dëmtuarit.

“E mbështes Faton Klinakun”, “Veç ni telefon ma ban Faton, aty mki për çka të ka nevojë, mezi s’po pres me ja nisë”, citohet në aktakuzë postimi i Selmanit.

Sipas aktakuzës, Selmani në një debat televiziv kishte deklaruar: “Unë konsideroj që çdo njëri i cili bon të këqija siç bon Albin Kurti, edhe po të isha unë në vendin e tij, duhet të vritet patjetër, sepse ajo është tradhti ndaj atdheut”.

Selmani ngarkohet se ka kanosur publikisht dhe seriozisht për vrasje të dëmtuarin Albin Kurti, për shkak të punës së tij zyrtare, e të cilat kërcënime, thuhet se i kishte shprehur edhe me disa bashkëbisedues tjerë, gjatë komunikimeve telefonike që i janë gjetur pas ekzaminimit të telefonit të tij, duke përfshirë edhe disa fotografi, ku i pandehuri shihet në posedim edhe të disa armëve të gjata luftarake.

Me këto veprime, i pandehuri Nuredin Selmani ngarkohet se ka kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 181, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 2 të Kodit Penal.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit