Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur paraditen e së premtes në një pikë karburanti në lindje të Romës, duke lënë të plagosur 21 persona dhe duke shkaktuar dëme të mëdha materiale.
Sipas mediave italiane, shpërthimi u pasua nga një zjarr masiv, i cili detyroi ndërhyrjen e menjëhershme të zjarrfikësve, policisë dhe vullnetarëve të mbrojtjes civile, që u angazhuan për të ndalur përhapjen e flakëve.
Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë momente dramatike. Në video shihet fillimisht një re tymi që del nga stacioni i karburantit, ndërsa pak sekonda më vonë ndodh shpërthimi, duke ngritur shtëllunga tymi të zi mbi ndërtesat përreth.
Si masë sigurie, është mbyllur stacioni i metrosë “Teano”, ndërkohë që banorët janë evakuuar urgjentisht nga shtëpitë e tyre.
Dëshmitarë okularë kanë rrëfyer se ndjenë një erë të fortë gazi para shpërthimit të parë dhe më pas dëgjuan një shpërthim të dytë edhe më të fuqishëm, që tronditi gjithë zonën.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkakun e saktë të shpërthimit dhe për të vlerësuar shkallën e dëmeve të shkaktuara.






