Shkrimtarja e njohur shqiptare Lea Ypi ka reaguar për protestën masive të studentëve në Tiranë, që ka hyrë në ditën e gjashtë, duke shprehur mbështetjen e saj për të rinjtë që kanë dalë në rrugë për të kërkuar ndryshim.
Ajo shprehet se, nëse do të ishte sot në drejtimin e Shqipërisë, do të kishte dhënë dorëheqjen që në qershor, duke vënë në pikëpyetje standardet e përgjegjshmërisë politike në vend.
Duke komentuar krizën politike në vend, Ypi thekson se largimi i një individi nga pushteti dhe zëvendësimi i tij me një tjetër nuk përbën ndryshim të vërtetë, por një projekt partiak. Sipas saj, Shqipëria ka nevojë për një transformim më të thellë, që synon zëvendësimin e oligarkisë me demokraci sociale. Shkrimtarja nënvizon gjithashtu se korrupsioni nuk mund të shihet i shkëputur nga sistemi ekonomik dhe politik që e ushqen atë.
Ypi dënon hapur dhunën e policisë, duke theksuar se një shtet ku sundon ligji nuk duhet të ketë nevojë për shkopinj gome për të mbajtur rendin. Ajo shprehet se studentët kanë gjithë dhembshurinë dhe mbështetjen e saj, ndërsa u bën thirrje që zemërimin e tyre ta shndërrojnë në një alternativë të vërtetë politike dhe shoqërore për Shqipërinë.
Në fund, Ypi u bën thirrje studentëve dhe aktivistëve të majtë që të vijojnë protestat në mënyrë paqësore dhe të mos lejojnë që zemërimi i tyre të manipulohet apo të përvetësohet nga aktorë që nuk ndajnë të njëjtin projekt politik.
Postimi i shkrimtares Lea Ypi
Të dashur miq, gazetarë e lexues që më keni shkruar për të më kërkuar një mendim për protestat në Shqipëri: mendimin tim e kam bërë të qartë katër muaj më parë dhe nuk e kam ndryshuar. Po e përsëris, meqë pyetjet vazhdojnë.
Unë nuk jam ndier ndonjëherë e përfaqësuar nga e majta qeverisëse në Shqipëri dhe nuk ndihem e përfaqësuar as nga e djathta opozitare që i nxit turmat të ndezin zjarre e të hedhin kapsolla në bulevard. Dhuna pa strategji e pa plan për të ardhmen kthehet në vëllavrasje të kotë. Kjo nuk do të thotë se dhuna për një parim të drejtë është e gabuar në çdo rrethanë. Por dhuna politike justifikohet vetëm kur, së pari, pas saj ka një projekt të bindshëm ndryshimi shoqëror dhe, së dyti, kur dhuna është mënyra e vetme për ta realizuar atë projekt.
Tani cili është projekti? Është fatkeqësi që në shoqërinë shqiptare, 35 vjet pas rënies së komunizmit, i vetmi projekt i ndryshimit të pushtetit shtrohet si zgjedhje ndryshimi pushtetarësh. Zëvendësimi i një individi në pushtet apo në opozitë me një individ tjetër nuk është projekt kombëtar, është projekt partiak. Janë partitë përkatëse ato që duhet të marrin përgjegjësi.
Zëvendësimi i oligarkisë me demokraci sociale, ky po që është projekt politik. Për fat të keq, ky projekt sot për sot është shumë i vështirë për t’u realizuar në Shqipëri po edhe në botë: ca për arsye gjeopolitike, ca se na ngatërrohet kultura e feja, ca për faj të konflikteve të brendshme, ca se sa më e brishtë të jetë demokracia e sa më agresiv të jetë kapitalizmi, aq më shumë oligarkët arrijnë të blejnë çdo pushtet, çdo politikan, çdo zyrtar (si ata që janë tani aty, ashtu edhe ata që do të vijnë). Po edhe sepse duhet punuar më shumë me brezin e vjetër për të kuptuar traumat e së shkuarës e me atë të ri për ta kthyer zemërimin në zgjidhje.
Problemi është se standardet demokratike për t’u kërkuar transparencë udhëheqësve në Shqipëri nuk janë vënë kurrë. Nga njëra anë, se i gjithë rendi i ashtuquajtur demokratik është pjellë e PPSH-së, nga gjiri i së cilës dolën drejtuesit e të dyja partive që kanë qeverisur që atëherë. Nga ana tjetër, sepse kapitalizmi nuk ka nevojë për demokraci për t’u zhvilluar: tregut privat i mjafton të ketë klientë. Korrupsioni nuk është shkaku i mosfunksionimit të rendit politik, por pasoje e nënshtrimit ndaj rendit ekonomik. Në kapitalizëm edhe njeriun më të ndershëm e flak sistemi. Ose e përdor duke e blerë, ose e nxjerr jashtë përdorimit kur nuk e ble dot.
Tani ca përgjigje ndaj pyetjeve që më bëhen shpesh këto ditë.
A e dënoj unë dhunën e policisë? Sigurisht. Një shtet ku mbizotëron e drejta nuk ka nevojë ta mbajë rendin me shkopa gome. Gjithë dhembshurinë dhe mbështetjen time e kanë studentët në protestë, por edhe efektivët e policisë që rrezikojnë jetën për një kafshatë bukë.
A do ta kisha dhënë dorëheqjen unë po të isha sot në drejtim të Shqipërisë? Me siguri në qershor. Po mbase edhe pas arrestimit të deputetit apo ministrit të parë. Mbase pas fitores së mandatit të radhës. Fundja edhe për të vënë një standart ndryshe, dreqi ta hajë. Këto janë çështje rreth të cilave unë nuk kam asgjë të re për ti shtuar debatit që zien në Tiranë. Janë thashetheme për stacionet e portalet të cilëve me siguri u intereson që alternativa shoqërore të kthehet në çështje biografie personale.
Studentëve, lexuesve, miqve, aktivistëve që ndajnë bindjet e mia të majta, do t’u këshilloja të rikthehen te protestat vetëm paqësore, të përdorin hapësirat që krijojnë këto protesta për të ndërtuar alternativën që i duhet Shqipërisë (por edhe Europës) e për të rritur ndikimin e tyre politik sado e vështirë të jetë nga dita në ditë. Do t’u kërkoja të shmangin bashkëudhëtimin, manipulimin e përçarjen nga ata që s’kanë asnjë lidhje me projektin tonë. Duhet këmbëngulje për të ndërtuar të majtën e vërtetë shqiptare, atë për të cilën shumë nga gjyshërit e stërgjyshërit tanë u dergjën në burg. Duhet shumë punë intelektuale e politike, por mbi të gjitha duhet durim.








